E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia përpilon planin e masave kundër aksidenteve

15/07/2009  Priten ndëshkime të rënda për drejtuesit e mjeteve që janë kundërvajtje

TIRANE- Aksidentet e shumta që kanë ndodhur gjatë kësaj kohe në kryeqytet kanë detyruar drejtuesit e Drejtorisë së Qarkullimit Rrugor që të marrin një sërë masash parandaluese, në mënyrë që të ulet numri i lartë i aksidenteve si dhe të shmangen bllokimi i rrugëve nga trafiku. Për t’i bërë ballë këtij fenomeni, uniformat blu të Policisë Rrugore do të përdorin të gjitha format e penalizimeve për kundërvajtësit, duke filluar nga vënia e gjobave, heqja e patentës, e deri në bllokimin e automjeteve. Rrugorët thanë se aktualisht po veprohet me njësi “Task-Forcë” në akset kryesore të kryeqytetit, ku janë angazhuar shërbime të policisë me qëllim kontrollin e trafikut në rrugë për të shmangur aksidentet apo shkeljet e rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve. Ky plan masash nuk është vënë në zbatim vetëm për situatën aktuale të qarkullimit rrugor, por mësohet se ai i paraprin edhe kohës kur në Shqipëri kthehen emigrantët. Nga fluksi i madh i këtyre të fundit, në Tiranë bllokohen shumë rrugë kryesore si dhe ritet ndjeshëm numri i aksidenteve automobilistike. Drejtuesit më të lartë të strukturave të Policisë Rrugore në qendër, mësohet se kanë vazhduar çdo ditë verifikimin në terren për masat e marra nga shërbimet e policisë në akset rrugore të konsideruara më të rrezikshme e problematike lidhur me aksidentet. Nga të dhënat zyrtare të Policisë Rrugore, mësohet se gjatë muajit të kaluar, qershor 2009, janë shënuar rreth 8 viktima në aksidente rrugore. Sipas Policisë Rrugore, reduktimi i numrit të aksidenteve me pasojë vdekjen, ka ardhur si pasojë e forcimit të masave nga Policia Rrugore për zbatimin e rregullave të qarkullimit, si respektim të normave të shpejtësisë së lejuar dhe përdorimi i rripit të sigurimit. Vitin e kaluar numri i lartë i aksidenteve në rrugë ka qenë një nga problemet kryesore me të cilin u përball policia dhe qytetarët për shkak të rritjes së numrit të automjeteve në qarkullim dhe përqendrimit të tyre veçanërisht në rrugët, që të çojnë drejt plazheve apo pikave të tjera turistike.

Tre aksidente, 1 i vdekur

TIRANE- Përtej masave të rrepta që ka marrë Policia Rrugore për të parandaluar aksidentet në rrugë, vetëm dje në kryeqytet janë shënuar 3 të tillë, ku si pasojë e të cilëve një shtetas ka humbur jetën. Viktima është Hyqmet Visha 64 vjeç, i cili në momentin e aksidentit rreth orës 18:00, ishte duke udhëtuar me një motoçikletë në segmentin rrugor Vorë-Fushë Krujë, në fshatin Ahmetaq. Pikërisht në këtë kohë ai është goditur nga automjetin tip BMV, me targa SH 4243 E, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë policia arrestoi në flagrancë shtetasin 28-vjeçar Indrit Raja nga Fushë-Kruja. Ndërkohë që një aksident tjetër është regjistruar në rrugën “Qemal Stafa”, ku një 16-vjeçar me inicialet T.K. duke drejtuar motorin tip Yamaha, ka aksidentuar shtetasin Ferit Agushi, i cili aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin “Nënë Tereza”. Po mbrëmë në rrugën “Njazi Meka” është arrestuar shtetasi Sokol Mema, pasi me mjetin e tij ka aksidentuar shtetasin Veli Isufi, i cili aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›