E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dashuritë edhe dështojnë

Shfaqja nga Kosova largon publikun nga shkallët e Butrintit. "Fedra", me regji të Fadil Hysës, një lexim mekanik i tekstit, në skenën e mbushur me kauçuk. Regjisori: "Aktorët arritën të përfundonin shfaqjen"


Butrint


Në natën e tretë të Festivalit të Teatrit në Butrint, i takoi teatrit nga Kosova të ngjitej në skenë, me tragjedinë "Fedra" të Jean Racin-it.


Është kjo e treta vepër me figurë qendrore gruan që prezantohet në këtë skenë, pas "Trojaneve" të trupës italiane dhe "Elektrës" të trupës nga Athina, por vetëm zhanrin tragjik kishte të përbashkët kjo vepër me ato të dy vendeve fqinje.


Teatri nga Kosova ishte i bazuar më shumë tek fjala sesa tek lëvizja dhe dinamika e personazheve. Ky bashkëprodhim i kompanive "Dodona" dhe "Sythi" nuk ishte më tepër sesa lexim teksti i veprës së Racinit. Megjithatë, gjatë konferencës për shtyp, regjisori Fadil Hysa nuk ishte dakord me komentet e passhfaqjes.


Një natë më parë, spektatori pa në Butrint një diznejlend shqiptar. Demi që duhej të ishte edhe simboli i epshit të Fedrës dhe të Hipolitit, ishte "përkthyer" në skenë në një kafshë gjigante prej kauçuku, e mbushur përgjysmë me ujë. Elementi kauçuk shkaktoi më shumë të qeshura në publik, kur kuajt e Hipolitit (dy balerina) vendosën në kokë maskat po prej plastike të kuajve.


E si për të shfajësuar dobësinë e veprës, regjisori, gjatë konferencës për shtyp, tha se publiku i asaj mbrëmje nuk ishte i denjë për veprën e tij.


Ndërsa në fund të konferencës për shtyp, Hysaj e përmblodhi suksesin e trupës së aktorëve me një fjali: "Aktorët arritën të përfundonin shfaqjen", duke lënë përshtypjen se ky ishte qëllimi që dëshironte të përmbushte me këtë vepër regjisori.


Pavarësisht ritmit të ulët të shfaqjes dhe shterpësisë së saj, ishte edhe një shtyllë që rrezatonte pasion, Enona e interpretuar nga aktorja dhe regjisorja Melihate Qenaj.


Enona është nga të paktat personazhe që ajo ka përzgjedhur për t'u larguar nga ndonjë dështim në regjinë e Teatrit të Kukullave "Dodona". "Është një praktikë e imja që, kur dështoj në një aspekt, provoj në një tjetër. Në fund të fundit, teatri është si dashuria, që, edhe kur dështon, nuk heziton të riprovosh", - thotë Qenaj.


Në një intervistë për "Shekulli"-n, ajo u shpreh shumë e zhgënjyer për ngurtësinë që karakterizon njerëzit, të cilët gjithmonë hezitojnë të thonë të vërtetën dhe nuk përtojnë të komplimentojnë edhe kur shfaqja ishte e dobët, sikur ajo e trupës nga Kosova.


Znj, Qenaj, ju keni qenë disa vite më parë në këtë skenë, po me një rol nga repertori i antikitetit. Ç'ju shtyu të riktheheni sërish kësaj here me "Fedrën"?


Kam qenë para tre vitesh këtu dhe kam luajtur Klitemnestrën tek "Orestia". Mua më pëlqen shumë antikiteti, kështu që herë pas here luaj ndonjë rol të tillë. Profesioni im është regjisore, punoj në teatrin e kukullave "Dodona" në Prishtinë, megjithëse kam përfunduar studimet për aktrim në Beograd.


Çfarë ka aktrimi që herë pas here ju largon nga regjia?


Kur nuk e kryej mirë punën si aktore, them jam regjisore; kur nuk e kryej mirë punën si regjisore, them jam aktore dhe kështu bëj gjithmonë.


Përse teatri për fëmijë?


Më pëlqen teatri për fëmijë. Kam shëtitur në të gjithë llojet e teatrit si aktore dhe si regjisore, dhe zgjodha teatrin për fëmijë, sepse e dua shumë sinqeritetin, sepse sinqeriteti më ka kushtuar në jetë dhe kam dëshirë të merrem me ata që ma thonë në fytyrë se shfaqja ka qenë e dobët. Nuk më pëlqen kur njerëzit flasin pas shpine, dhe nuk janë në gjendje të flasin në sy.


Është më e vështirë të bësh teatër për fëmijë apo për të rritur?


Unë mendoj se është vështirë të punosh me fëmijët, sepse ata janë të drejtpërdrejtë. Sikur të ishin fëmijët në këtë konferencë për shtyp, ata do të bënin 1000 pyetje.


Njeriu i rritur ka një vetëcensurë. Unë nuk do të kisha mbajtur kurrë konferenca për shtyp, sepse nuk janë produktive, nuk janë njerëzit të sinqertë, nuk bëjnë pyetje të vërteta. Do t'i evitoja konferencat, do të preferoja që pas shfaqjes të konsumoja një kafe me gazetarët dhe atëherë besoj do të dilnin të vërtetat dhe nuk do të ishin kështu të heshtura bisedat.


Me siguri njerëzit kanë arsye për të lëvduar dhe për të thënë mendimin e kundërt. Të rriturit janë më të ngurtë, sepse nuk arrijnë t'i thonë mendimet e tyre, gjithmonë kanë një dozë droje. Fëmijët nuk e kanë këtë problem, janë të sinqertë dhe t'i thonë në fytyrë problemet. Unë jam mësuar të komunikoj në atë mënyrë dhe këto konferenca mua s'më duken produktive.


Enona është një rol dytësor tek "Fedra". Sa kohë keni punuar për ta realizuar?


Rreth dy muaj e gjysmë. Varet sa punon njeriu, për dikë janë të mjaftueshëm, për dikë tjetër s'janë. Unë kam punuar në mënyrë intensive, 10-12 orë në ditë. Sepse rrallë luaj dhe kam një lloj frustrimi në vete, një frikë të madhe dhe dua të jem e sigurt në vetvete.


Keni pasur një model për këtë rol?


Kam parë shumë shfaqje të "Fedrës", mirëpo mendoj se jam përpjekur që t'i gjeja ato veti brenda vetes sime dhe jo të kopjoja karaktere të ndryshme. Për secilin rol kështu kam vepruar, sepse njeriu ka në vete edhe të mirat, dhe të këqijat.


Në qoftë se njeriu nuk është i sinqertë ndaj vetes, atëherë mundohet me elemente të huaj të ndërtojë një rol. Mendoj që në aspektin regjisorial nuk është një rrugë e mirë. Mendoj (pa marrë parasysh se si kemi interpretuar), se secilit artist i dridhet zemra më shumë se çdo deputeti që ka mbi supe 2-3 milionë njerëz.

Si e shihni teatrin shqip sot?


Mendoj se ka një krizë, ndoshta është krizë e kohës ose ndoshta e mungesës së kulturës së teatrit te ne. Nëpër vende të tjera janë gjithmonë sallat plot, ndoshta ne s'po dimë të zgjojmë kërshërinë e shikuesit.


Është mungesa e kulturës së teatrit. Njeriu që është mësuar të lexojë gazetën, e blen që në mëngjes, ndonëse televizioni i jep titujt e gazetave, ai do të ketë diçka të prekshme. Kështu mendoj se është edhe me teatrin.


Si mund të dilet nga kjo krizë?.


Në qoftë se duhet të dilet do dilet, në qoftë se nuk duhet të dilet, le të na bombardojnë teknika dhe mjetet. Njerëzit mundohen të jenë shumë praktikë dhe në këtë aspekt humbasin nga vetvetja, nga shpirti, nga emocioni. Kemi filluar të robotizohemi, të bëhemi njerëz gjysmë makina. Megjithatë, fjala e gjallë ka peshën e saj.

Shfaqja e mbrëmshme nuk e kishte këtë peshë të fjalës. Dukej sikur aktorët thjesht po lexonin tekstin....Mund të jetë ashtu, sepse është sallë e madhe dhe kemi pasur shumë kujdes që të dëgjohet.


Ajo që e shpëtoi shfaqjen dje ishit veç ju.


S'e di, unë punët i bëj nga dashuria. Shfaqja është një shikim i regjisorit. Nëse unë do ta punoja, ndoshta do ta punoja ndryshe. Kur e pranoj një rol, i bëj të gjitha me dashurinë time dhe me frymëzimin e tim.


Nuk më intereson shumë ajo qasja regjisoriale, nuk më intereson që të më thonë të vërtetën se çfarë mendojnë për mua si e kam realizuar. Ajo është thjesht një dashuri e imja. E kam pranuar edhe rrezikun që mund të mos jetë një dashuri e suksesshme. Dashuri të tilla kam pasur dhe në jetë, le të jetë edhe kjo një dashuri e dështuar.


Shfaqja e fundit


Qendra Kulturore: "L'Association Mnemosyne", France & Rumani
Shfaqja: "Kënga e këngëve"
Regjisor: Catalina Buzoianu
Aktor: Philippe Ristovski
Interpretues: Sandra Mavhima
Koreograf: Malina Andrei
Soliste: Ilinica Marche
Muzikantë: Sylvain Gouvernaire, Dominic i Michel, Martial Paoli, Puhar Marin.
Projektor: Tom Brandus
Producente: Catherine Kiss


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›