Defektet në kamera rrezikojnë t’i nxjerrin jashtë loje vëzhguesit e zgjedhjeve
Mosfunksionimi i sistemit të kamerave që do të përdoret për të monitoruar zgjedhjet rrezikon që t’i nxjerrë jashtë loje vëzhguesit, të cilët do ta ndjekin procesin nëpërmjet këtij sistemi. Për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit procesi i numërimit të votave do të jetë i monitoruar nga një sistem kamerash. Sistemi i ri i kamerave parashikon që numëruesit e fletëve të votimit, çdo fletë do ta paraqesin edhe në kamerën që është montuar në tavolinën ku bëhet procesi i numërimit të votave. Imazhet e fletës së votimit do të paraqiten në ekrane ku vëzhguesit do të kenë mundësi që të vëzhgojnë procesin e numërimit. Në rast të ikjes së energjisë elektrike apo të defekteve të tjera teknike që mund të ndodhin në sistemin e monitorimit, vëzhguesit nuk do të kenë mundësi që të vëzhgojnë nga afër numërimin e fletëve të votimit. Vëzhgimi i fletës së votimit nga ana e vëzhguesve vështirësohet edhe më tepër nga distanca në të cilën ata duhet që të qëndrojnë nga tavolina ku do të bëhet numërimi i votave. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që edhe në rast të mosfunksionimit të këtij sistemi, procesi i numërimit të votave të mos ndërpritet. “Ndërprerja e procesit të numërimit të votave nga anëtarët e grupeve të numërimit do të jetë vdekjeprurëse për procesin zgjedhor”, - tha nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi. Gjithashtu, KQZ-ja vendosi se në rast të defekteve, anëtarët të regjistrojnë në procesverbal orën dhe shkakun e ndërprerjes së procesit të monitorimit me anë të kamerave. Këta të fundit do të jenë të detyruar të njoftojnë KQZ-në. Ky i fundit do të njoftojë firmën “A&T”, që është përgjegjëse për sistemin e kamerave. Sistemi i kamerave do të jetë i vendosur në 66 vende të numërimit të votave, që do të jenë në Shqipëri. Në të gjitha VNV-të do të vendosen nga 5-10 kamera, kjo në varësi të numrit të tavolinave të numërimit që do të ketë qendra e numërimit të votave. Kamerat, që do të regjistrojnë pamje vizive e zanore, do të kenë rezolucion të lartë dhe do të transmetojnë në kohë reale fletën e votimit në monitor ose ekran. Çdo kamera do të lidhet me monitor TV ose me projektor që projekton pamjen në ekran. Do të përdoren 385 ekrane që mbulojnë të gjitha qendra e numërimit të votave. Të gjitha imazhet e marra nga kamerat do të regjistrohen edhe me zë, në pajisje përkatëse në çdo VNV. Do të jenë 66 pajisje regjistruese që do të mundësojnë regjistrimin e pandërprerë për një kohë, jo më pak se 20 orë, gjithashtu do të mundësojnë hedhjen e regjistrimit filmik në DVD. Procesi i regjistrimit me kamera do të mbikëqyret nga një tjetër sistem kontrolli. Një rrjet i të dhënave do të lidhë VNV-të me sallën e mbledhjeve të KQZ-së. Një kamera qendrore, me pamje 360 gradë, do të mbulojë gjithë VNV-në. Monitorimi me kamera është edhe një nga risitë e zgjedhjeve të 28 qershorit.
1 Qershor 2009