E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ rrëzon kushtin e PS-së: Fletët e votimit pa pullën e sigurisë

Firma sllovene thotë se nuk e vendos elementin e sigurisë për 20 ditë. KQZ-ja ndryshon ngjyrën e siglës dhe të logos së fletës së votimit

Luis Tanushi

Fleta e votimit për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit do të jetë pa elemente sigurie të kërkuara nga socialistët dhe që është përdorur edhe në zgjedhjet e kaluara. Pas kërkesave të Partisë Socialiste, që fleta e votimit të ketë elemente sigurie shtesë, firma fituese e tenderit që do të prodhojë fletët e votimit e quajti të pamundur prodhimin e fletëve të votimit me elemente shtesë në datën e caktuar. Fleta e votimit u miratua me disa ndryshime të vogla përsa i përket ngjyrës së siglës. Edhe dy përfaqësuesit e forcave të mëdha politike, pas debateve të shumta, ranë dakord që fleta e votimit të fillojë të prodhohet nga firma sllovene “Cetis”.
Debatet
Përfaqësuesi i PS-në në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Genc Gjoncaj, kërkoi që elementet teknike të fletës që kanë të bëjnë për sigurinë të shtohen. Gjoncaj u rikujtoi anëtarëve të KQZ-së shkresën zyrtare të PS-së në të cilën kërkohet që fleta e votimit të jetë e pajisur me Watermark-un e personalizuar. “Konstatojmë se kërkesa e opozitës në lidhje me Watermark-un nuk ka gjetur ende asnjë përgjigje. Ende fleta e votimit ka Watermark të thjeshtë, çka rrezikon standardet e zgjedhjeve”, - tha përfaqësuesi i PS-së. Gjoncaj u shpreh se fleta e votimit mund të ndryshohet, por nevojitet vetëm dëshira për ta bërë atë. Sipas tij, në kohën kur PS-ja ishte në pozitë, KQZ-ja miratoi propozimet e PD-së në lidhje me ndryshimet e fletës së votimit edhe pse afati kohor nga data e zgjedhjeve ishte më i vogël se 29 ditë. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, reagoi duke thënë se koha për prodhimin e fletës është mjaft e pakët dhe është e pamundur pajisja e fletës me Watermark-un e personalizuar. Ristani deklaroi se nëse tenderi për prodhimin e fletës së votimit ka përfunduar dhe kompania fituese e ka lidhur kontratën. “Është e pamundur të ndryshojë fleta e votimit. Firma sllovene, e cila do të prodhojë fletën e votimit, e ka prodhuar modelin e parë për KQZ-në”, - u shpreh kryetari i KQZ-së. Sipas tij, ndryshimet e kërkuara duhet të ishin bërë në kohën kur u diskutuan specifikat e fletës së votimit. Ristani i kujtoi përfaqësuesit të PS-së konsensusin që kjo forcë dha për përcaktimin e elementeve teknike të fletës. “Ju po abuzoni me konsensusin që Komisioni kërkon të arrijë për zgjedhjet parlamentare”,- tha kreu i KQZ-së. Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe anëtari tjetër i KQZ-së Hysen Osmani dhe përfaqësuesi i PD-së Niazi Kosovrasti. Anëtari Osmani e cilësoi tepër të vonuar për të diskutuar edhe një herë për elementet e fletës së sigurisë. Përfaqësuesi i PD-së, Niazi Kosovrasti, deklaroi se kërkesa e paraqitur nga PS-së është e vonuar dhe kërkoi që procesi të vazhdojë normalisht.
Miratimi
Konsensusi për fletën e votimit erdhi pas propozimit të kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, e cila kërkoi që të pyetej fillimisht firma që do të prodhojë fletën e votimit. “Çdo opozitë është gjithmonë dyshuese. Nëse firma ‘Cetis’ e mundëson prodhimin e fletës së votimit me Watermark të personalizuar, brenda afateve të kërkuara, të kërkojmë që fleta të ketë edhe këtë element sigurie shtesë”, - u shpreh Ristani. Pas komunikimit në mënyrë elektronike të anëtarëve të KQZ-së dhe përfaqësuesit të PS-së me firmën që do të prodhojë fletën e votimit, u vendos që fleta e votimit të prodhohet vetëm me Watermark unik të vazhduar, por jo të personalizuar. Firma prodhuese “Cetis” e quajti të pamundur prodhimin e fletëve të votimit brenda një kohe kaq të shkurtër. “Nëse ju kërkoni që fleta e votimit të prodhohet me Watermark të personalizuar, ne na duhen brenda 5 ditëve specifikimet që do të përmbajë Watermark-u i personalizuar. Koha që ne do të mund të prodhojmë fletën e votimit është tri javë”, - thuhet në përgjigjen që firma sllovene i dërgoi KQZ-së. Ndërkohë, sigla dhe logoja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të jetë me ngjyrë. Ndryshimi i ngjyrës erdhi pas kërkesave të PS-së. Prodhimi i fletës së votimit nga firma sllovene “Cetis” plotëson edhe kushtin e PS-së që fletët e votimit, të cilat do të përdoren për zgjedhjet parlamentare të qershorit, të prodhohen jashtë vendit.

1 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›