“Defektet në zemër, kurimi jashtë iu varfëron mjekësinë”
ZIRINA LLAMBRO
“Mjekësia shqiptare varfërohet nëse sheh si zgjidhje të përhershme dërgimin e fëmijëve me defekte në zemër jashtë vendit”. Një shprehje tejet domethënëse prej ekipit të mjekëve italianë që kanë ardhur këto ditë në vendin tonë. Ndërsa që prej 8 vitesh, në sajë të financimit të karitasit ata u kanë shpëtuar jetën qindra fëmijëve me probleme të rënda në zemër, tashmë një tjetër apel i adresohet krerëve të shëndetësisë. “Investoni në infrastrukturë dhe trajnimin e stafit mjekësor, vetëm kështu numri i pacientëve që do të kurohen do të jetë më i lartë. E për rrjedhojë edhe progresi i mjekësisë”, thonë mjekët nga shteti fqinj. Si vullnetarë të rajonit basilican kanë ardhur që prej një jave në Tiranë, duke vizituar mbi 100 fëmijë që dyshohen se kanë probleme të lindura në zemër. Por puna e tyre nuk ndalet këtu. Që prej vitit të kaluar 64 fëmijë shqiptarë janë operuar prej tyre në Itali dhe 25 të tjerë kanë kryer ndërhyrje me hemodinamike (aparatura me anë të së cilës ndërhyhet për të riparuar defektin pa u futur në thikë). Përpos tyre, në shtetin fqinj janë diagnostikuar 58 fëmijë të tjerë, të cilët janë në listë për të vazhduar më tej trajtimin mjekësor. “Sa i përket incidencës, nga të dhënat që ne kemi, janë rreth 8 fëmijë në 1000 që lindin me defekte në zemër. Gjysma e tyre kanë nevojë për ndërhyrje urgjente që në muajin e parë të jetës, në të kundërt nuk ka shpëtim”, thotë mjeku pediatër, Nicola D’andrea. Sipas tij, nuk duhet të neglizhohen këto probleme pasi një pjesë e mirë e defekteve të lindura janë të riparueshme dhe pacienti mund t’i rikthehet jetës normale. “Ne kemi gatishmërinë maksimale për ti mbështetur mjekët shqiptarë me asistencë, por është domosdoshmëri që të krijohen kushtet që këto ndërhyrje që kryhen jashtë Shqipërisë të realizohen këtu, nga mjekë shqiptarë. Krahasuar me një vit më parë, të paktën për infrastrukturën, nuk ka ndryshuar asgjë. Është po ajo dhe ka mangësi të mëdha”, thotë kardiokirurgu Ugo Vario, i cili drejton ekipin e mjekëve. Të pyetur nëse kanë kryer operacione të vështira që i kanë realizuar me sukses, ata nuk ngurojnë të përmendin disa. “Përgjigjem për ndjekjen e fëmijës që nga momenti që hyn në sallën operatore e deri sa transferohet në pavijon. Kemi pasur disa raste të vështira, të cilët kanë pasur nevojë për disa ndërhyrje njëherësh, por ja kemi dalë”, sqaron kardioanestezisiti Adurno Giusepe. Ndërsa kryeinfermierja Carmen Lacava, e cila veç asistencës mjekësore merret edhe me gjithë dokumentacionin, pranon se shpesh herë përballen me vështirësi në marrjen e vizave për fëmijët dhe prindërit e tyre.
Shkaqet e keqformimeve të lindura
Rrezatimet radioaktive, infeksionet virale që nëna kalon gjatë barrës, predispozicioni gjenetik apo sëmundja e hipertensionit janë disa nga shkaqet, që mund të çojnë në krijimin e keqformimeve të lindura te fëmijët. Sipas mjekëve mund të jetë edhe kombinim i dy apo tre prej këtyre shkaqeve. Megjithatë, nuk është e vërtetuar shkencërisht, se cilët janë shkaktarët e vërtetë të sëmundjeve të tilla. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, pjesa më e madhe e foshnjave që lindin defekt në zemër janë meshkuj. Ata përbëjnë rreth 49.3% të rasteve. Nga të dhënat rezulton se krahasuar me vendet e tjera, te ne numri i fëmijëve me keqformime është më i lartë. Ndonëse në Shqipëri realizohen një pjesë e ndërhyrjeve për defektet e lindura, kushtet spitalore nuk lejojnë kryerjen e operacioneve te fëmijët e moshës nën një vjeç. Sipas mjekëve, duhet patjetër që fëmija që do të operohet të këtë një peshë mbi 9 kg dhe të ketë kaluar vitin e parë të jetës.
Spitali “Nënë Tereza”, prej 8 vjetësh pa diagnostikim
Pajisja e hemodinamikës është një nga aparaturat e rëndësishme diagnostikuese për fëmijët, që lindin me keqformime në zemër. Tek ne kjo aparaturë nuk funksionon prej 8 vjetësh. Gjithashtu mungon specialisti për kryerjen e kësaj analize, gjë që u kushton jo pak fëmijëve, të cilët kanë të domosdoshëm këtë diagnostikim. Rreth 30 për qind të rasteve me defekt në zemër, në mungesë të kësaj analize, ose i nënshtrohen rrjedhës natyrale dhe humbin jetën pas disa vitesh, ose zgjidhja e vetme është të vizitohen jashtë vendit. Përveç hemodinamikës diagnostikuese në spitalin “Nënë Tereza” mungojnë edhe aparaturat për riparimin e disa lloj keqformimesh. Përballë kësaj situate, e vetmja gjë që mund të bëjnë mjekët tanë është t’u sugjerojnë prindërve t’i çojnë jashtë fëmijët e tyre. Ekipi i mjekëve italianë një pjesë ta pajisjeve për periudhën që kryen vizita në Shqipëri i sjell nga Italia. Ndërsa bluzat e bardha që punojnë në pediatrinë e QSU sqarojnë se këto mangësi sjellin pasoja direkt mbi pacientët.