E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënim rrufe, Shkumbini katër javë jashtë fushe

 

Jetmir Halilaj

Incidentet e ndodhura të mërkurën në stadiumin e Peqinit, i kanë kushtuar rëndë klubit të Shkumbinit. Komisioni i Disiplinës në FSHF ka reaguar me shpejtësi pas ngjarjeve të shëmtuara gjatë ndeshjes gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë mes vendësve dhe Flamurtarit, ku u godit me sende të forta një nga arbitrat anësorë. Disiplinori i Federatës ka vendosur të dënojë fushën e Shkumbinit me katër ndeshje pezullim, skuadra e humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 2-0, ndërsa klubi do paguajë tre milionë lekë gjobë. Komisioni i Disiplinës ka marrë masa edhe ndaj disa prej drejtuesve të klubit, të cilët kanë kryer gjeste antisportive në atë takim. Zyrtari i Shkumbinit, Astrit Isaj, është dënuar me tri ndeshje pezullim dhe 100.000 lekë të rinj gjobë, ndërsa zv.trajneri skuadrës, Sokol Branica, për gjeste fyese e provokuese ndaj arbitrave, është dënuar me tri ndeshje pezullim dhe 50.000 lekë gjobë.
Rregullorja
Pika 19 e nenit 24 të Kodit të Drejtësisë Sportive parashikon se: në të gjitha rastet, kur si pasojë e hedhjes së gurëve në fushë, ose e sendeve të forta dëmtohen arbitrat deri në atë masë sa bëhet i pamundur vazhdimi i gjykimit të lojës nga ana e tyre, ekipi shkaktar e humbet ndeshjen dhe fitorja i jepet ekipit tjetër. Ky vendim shoqërohet edhe me pezullimin e fushës për katër ndeshje si dhe me dënimin e klubit me 300 mijë lekë të rinj gjobë.
Apelimi
Klubi i Shkumbinit pritet të bëjë menjëherë ankesë për dënimin në Komisionit e Apelit, me shpresën që anëtarët e tij të zbusin dënimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës. Në rast se as ky organ nuk ndryshon përmbajtjen e vendimit, atëherë skuadra e Shkumbinit do t’i luajë të gjitha ndeshjet e mbetura të sezonit jashtë fushës. Drejtuesit e klubit të Shkumbinit e kanë quajtur të ekzagjeruar dhe tendencioz dënimin e Disiplinës, pasi sipas tyre, kështu penalizohet një qytet i tërë. Ata kanë përsëritur se janë kategorikisht kundër këtij vendimi. Nëse peqinasit do t’i luajnë të gjitha ndeshjet e mbetura jashtë fushës së tyre, atëherë rrezikojnë që humbasin vendin e katërt.

Gava i ankohet Kolinës: Ishte një ferr i vërtetë
Gabriele Gava, gjyqtari kryesor i ndeshjes Shkumbini-Flamurtari, të mërkurën në mbrëmje është terrorizuar nga rrëmuja që ndodhi në fushën e Peqinit. Pasi janë larguar nga stadiumi, mësohet se arbitri ka marrë në telefon shefin e gjyqtarëve të Federatës Italiane të Futbollit, Pierluixhi Kolina, të cilit jo vetëm që i ka sqaruar me detaje atë çfarë ndodhi, por i është ankuar për kushtet, në të cilat kishte arbitruar. “O Zot i madh, ishte një ferr i vërtetë! Anësori Puxhioto shpëtoi me fat, pasi mund të ishte dëmtuar rëndë nga një gur i madh (ishte copë betoni), që u hodh nga tifozët vendës dhe i shkoi shumë pranë kokës. Ishte vërtet skandal”, mësohet t’i ketë thënë Gava Kolinës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›