IDN takim për krijimin e sindikatës së ushtarakëve
TIRANE - Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në kuadrin e aktiviteteve në sektorin e sigurisë organizoi konferencën me temë “E drejta e ushtarakëve për t’u organizuar në shoqata profesionale, për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e tyre”. Punimet e konferencës u zhvilluan më 29 Prill 2009, ora 09:30 në Tiranë në bashkëpunim me EUROMIL, Akademinë e Mbrojtjes Shqiptare dhe Avokatin e Popullit. “Kjo konferencë, e para këtij lloji në vendin tonë, shënon një zhvillim të rëndësishëm në nivel kombëtar, në vazhdën e përpjekjeve dhe kontributit të vazhdueshëm që IDN ka luajtur në fushën e sigurisë për reformimin demokratik të këtij sektori. Kjo iniciativë, e cila bëhet akoma më e domosdoshme me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në kuadrin e modernizimit të Ushtrisë Shqiptare, ka si qëllim: Të nxisë dhe promovojë procesin e ndërgjegjësimit të strukturave përkatëse për domosdoshmërinë e strukturave profesionale në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të ushtarakëve, të sjellë eksperiencat më të mira evropiane (Gjermane, Italiane por dhe Bullgare, si më të përafërta me realitetin shqiptar) të cilat u prezantuan nga Col. Bernhard Gertz, Vice President of EUROMIL (Bruksel), Gjen. Aldo Piçotti i Delegacionit Italian të Ekspertëve dhe Major Diman Dimanov, Përfaqësues Ushtarak i NATO-s në Shqipëri. Iniciativa ka gjithashtu për qëllim të pasqyrojë sfidat për Shqipërinë dhe problematikat e legjislacionit ekzistues. Konferenca u organizua në formën e një forumi konsultimesh dhe diskutimi mes Oficerëve të Akademisë se Mbrojtjes, përfaqësuesve të organizatave të huaja, shoqërisë civile, rretheve akademike, ekspertëve të pavarur dhe aktorëve të tjerë të interesuar nga Shqipëria.