Zhduket agjenti i rremë i CIA-s
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria kërkon të rishpallë në kërkim një person të dyshuar për “vjedhje me anë të mashtrimit”, i cili u lirua nga Gjykata e Apelit dhe më pas humbi gjurmët, duke iu shmangur hetimit. Sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë, bëhet fjalë për të dyshuarin Admir Ibrahim Hoonaert (Saliu), vjeç 34, lindur në Gjilan të Kosovës dhe banues në Nju Jork të SHBA. Më 6 shkurt 2009, policia e Tiranës njoftoi arrestimin në flagrancë të këtij personi, pasi tre hotele të njohura në kryeqytet, paraqitën denoncim ndaj tij për vjedhje me anë të mashtrimit. “Nga të dhënat e grumbulluara gjatë hetimeve ka rezultuar se ky shtetas ka përfituar shërbimet te hotel “Rogner” dhe nuk ka paguar shumën prej 155.786 lekë, ndërkohë te hotel “Grand” pas përfitimit të shërbimeve nuk ka pagur shumën prej 1792.81 Euro dhe te hotel “Diplomat” shumën prej 320 Euro”, thuhet në komunikatën e policisë. Por pavarësisht akuzave të policisë, 34-vjeçari nga Kosova, u lirua nga Gjykata e Apelit vetëm një muaj pasi ishte arrestuar. Gjykata e Apelit në Tiranë, i pranoi argumentet e avokatit i cili pohoi se klienti i tij vuante nga një sëmundje e rëndë, gjendja e të cilës përkeqësohej në rast se 34-vjeçari mbahej në burg pa mundësi kurimi. Një tjetër argument i avokatit, ishte se klienti i tij i likuidoi më vonë detyrimet financiare pasi për disa ditë karta bankare i ishte bllokuar për probleme familjare. I akuzuari pretendoi se më parë kishte qenë pjesë e shërbimeve informative amerikane për fushën e ushtrisë (CIA), megjithëse prokuroria shqiptare nuk e konfirmon këtë fakt. Më 4 mars 2009, Gjykata e Apelit në Tiranë, vendosi për 34-vjeçarin Admir Ibrahim Hoonaert (Saliu), masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Ky vendim i Gjykatës së Shkallës së Dytë, parashikonte lirimin nga paraburgimi për të pandehurin i cili detyrohej të paraqitej një herë në javë në policinë gjyqësore. Burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, konfirmuan dje se që nga momenti i lirimit me vendim të Gjykatës së Apelit, personi i dyshuar nuk është paraqitur asnjëherë në policinë gjyqësore. “Një veprim i tillë konsiderohet shkelje e vendimit të gjykatës si dhe shmangie nga hetimi. Për këtë shkak, Prokuroria e rrethit Tiranë do të kërkojë në gjykatë caktimin e masës arrest me burg në mungesë, ndaj të pandehurit për vjedhje me anë të mashtrimit”, thanë burimet zyrtare nga organi i akuzës.
Vjedhja, ngatërresë me kartën e kreditit
Ndërsa 34-vjeçari nga Kosova ndodhej në Tiranë, siç ka pretenduar ai, me detyrë nga pala amerikane, në SHBA vazhdonte një proces gjyqësor mes të dyshuarit dhe gruas së tij. Si pasojë e këtij procesi, karta e kreditit të 34-vjeçarit ishte bllokuar për disa ditë, pasi ai kishte llogari të përbashkët me të shoqen. Bllokimi i kartës, sipas mbrojtjes ligjore, ka shkaktuar pamundësinë e likuidimit të hoteleve ku qëndroi 34-vjeçari.