E Shtunë, 31 Tetor 2026

Defekti elektrik në Kuvend, shkakton panik te deputetët

Kuvendi është tronditur dje gjatë paradrekes nga defekti elektrik i ndodhur në katin e dytë të godinës. 

Një shpërthim i ndodhur si pasojë e defektit të ndodhur në kutinë e automateve elektrike në korridorin ku ndodhet komisioni parlamentar i Sigurisë, ai i Veprimtarisë Prodhuese, Shëndetësisë, Arsimit dhe Kulturës. Gjithçka ndodhi rreth orës 12.00, ku si pasojë e këtij incidenti është ndërprerë edhe furnizimi me energji në selinë e Kuvendit. Kjo për shkak se kanë rënë të gjitha automatet e tjera. Menjëherë punonjësit e shërbimit të Gardës të pranishëm në korridor kanë marrë bombolën e ndihmës së shpejtë të fikjes së zjarrit. Ndërsa menjëherë Kuvendi është rrethuar nga ana e punonjësve të shërbimit të Gardës dhe nga disa punonjës të policisë. Po i shpejtë ka qenë edhe mbërritja e makinës zjarrfikëse, që ka qenë e pranishme pas pesë minutash ku ngjarja ndodhi. Punonjësit e zjarrfikëses nuk kanë marrë mundimin që të ngjitet lart, pasi gjithçka ishte mbyllur. Në momentin e shpërthimit, komisioni i Sigurisë ishte i vetmi që po vijonte mbledhjen normalisht. Por shpërthimi ka bërë që deputetët të tremben, si dhe ndërpresin mbledhjen për disa minuta. Vazhdimin deputetët janë detyruar ta realizojnë pa praninë e dritave. Pas kësaj ngjarjeje, selinë e Kuvendit e ka lënë kryeparlamentarja Topalli, e cila pas njohjes me incidentit, si dhe me faktin se nuk kishte dëme dhe pasoja, ka dalë përtej kangjellave të godinës me makinën e saj. Ndërsa një ekip punonjësish të ndërmarrjes së KESH-it janë ngjitur për të riparuar dëmin e shkaktuar. Ndërsa nuk janë lënë që kamerat të filmojnë në ambientin ku ndodhi shpërthimi, duke bërë gjithçka të mos fokusohet nga ana e kamerave të televizioneve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›