Prokuroria e Përgjithshme: Vazhdojnë hetimet për dosjen “Rrëshen Kalimash”
Tiranë - Prokuroria do të vijojë hetimet për të dalë sa më shpejt në konkluzionet përfundimtare mbi dosjen “Rrëshen-Kalimash” derisa të ketë një vendim të formës së prerë të gjykatës.
Burime të Prokurorisë së Përgjithshme përmendën të drejtën e ankimimit që ka ky organ për të rrëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila shfuqizoi vendimin e prokurorit të çështjes ku kërkohej shtyrja e afatit të hetimeve deri në 6 dhjetor. Përkundër vendimit gjyqësor për mbylljen e hetimeve grupi hetimor ka vijuar me veprimet procedurale që po i çon ata drejt daljes me konkluzione paraprake. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, ende mbetet i pacaktuar statusi i ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, aktualisht person në hetim, pavarësisht se pak javë më parë, ashtu si edhe tre zyrtarët e pandehur, edhe atij i është vënë në dispozicion një kopje e akt-ekspertizës së kryer përgjatë aksit “Durrës-Kukës”. Burimet u treguan të rezervuara të shpjegonin fatin e mëtejshëm të ish-ministrit të Transporteve në këtë dosje, pavarësisht se shtuan se mbyllja e hetimeve për këtë dosje tashmë është çështje orësh.
Procedimi për veprën penale të shpërdorimit të detyrës të kryer në bashkëpunim mes zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve në financimin e segmentit “Rrëshen-Kalimash” u regjistrua fillimisht në Prokurorinë e Tiranës më 8 mars 2007. Ndërkohë që u morën si të pandehur tre zyrtarë: Teliti, Toma dhe Saraçi, prokurorët e Tiranës çmuan të dërgonin dosjen në Prokurorinë e Përgjithshme, pas konkluzioneve të arritura se ish-ministri i Transporteve, njëkohësisht deputet, Lulzim Basha, është përgjegjës për shkeljet e konstatuara. Në fakt, këto arsyetime u përdoren asokohe nga ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku, në kërkesën e tij për heqjen e imunitetit të Bashës, duke lënë të hapur rrugën për hetimet nga Prokuroria e Përgjithshme.
20 Nentor 2008