Shtyhet gjyqi ndaj Bollanos, avokati kërkon ndryshimin e trupit gjykues
VLORË - Gjyqi në ngarkim të shtetasit Vasil Bollano, me detyrë kryetar i Bashkisë së Himarës, është shtyrë edhe dje. Që në fillim të seancës, avokati i tij ka kërkuar të ndryshohet gjyqtari i çështjes, Shkëlzen Selimi. Po kështu, ekspertët kanë kërkuar të dilet me një raport të përbashkët dhe jo me dy të tillë. “Unë kërkoj që kjo çështje të mos gjykohet nga ju, zoti gjyqtar”, - i është drejtuar avokati Petraq Curri gjyqtarit Selimi. Ndërkohë ky i fundit i ka kërkuar arsyen, por avokati nuk ka komentuar, thjesht ka shtuar: “Unë kam depozituar kërkesën për ndryshim të trupit gjykues dhe dua që të merret në konsideratë”. Pritet që të hidhet shorti mes gjyqtarëve për të parë kush do ta marrë këtë çështje seancën e ardhshme. Kryebashkiaku akuzohet për 21 milionë lekë dëm nga heqja e tabelave në gjuhën shqipe për t’i zëvendësuar ato në gjuhën greke. Në muajin korrik, Prokuroria e Vlorës, pas hetimeve disamujore, dërgoi në gjykatë në cilësinë e të pandehurit, Bollanon, duke e akuzuar si përgjegjës për heqjen e tabelave orientuese nëpër rrugët e bregdetit Qeparo - Qafë Llogara. Shkak për nisjen e hetimit ndaj Bollanos janë bërë ankesat e disa banorëve të zonës, të cilët kanë njoftuar prokurorinë për dëmin e shkaktuar në heqjen e tabelave orientuese në aksin Qeparo-Qafë Llogara. Pas verifikimeve në terren, ka rezultuar se Policia Bashkiake e Himarës i ka hequr ato me urdhër të kryetarit Vasil Bollano. Kështu, heqja e tyre për organin e akuzës përbën shkelje ligjore, e shoqëruar me një dëm ekonomik prej 21 milionë lekësh, për të cilën Bollano duhet të japë llogari para gjykatës së Vlorës. Deri tani Bollano nuk është paraqitur asnjëherë në gjykatë, por është përfaqësuar nga avokati i tij.
Atentati, plagoset rëndë shqiptari në Milano
MILANO - Një shqiptar është qëlluar me pistoletë dy ditë më parë në provincën Seveso të Milanos. Disa persona, që kalonin me makinë në atë zonë, kanë vënë re të riun të mbuluar me gjak dhe kanë njoftuar menjëherë policinë. Mediat italiane raportojnë se pas verifikimeve të para, policia italiane bëri të ditur se i plagosuri ishte shqiptar rreth moshës 30 vjeç, por nuk bëri të mundur identifikimin e tij. Me të mbërritur në vendngjarje, mjekët kanë ndërhyrë për t’i ndaluar hemorragjinë, e cila rridhte nga plaga e marrë në stomak. Më pas, ai është dërguar në spitalin “San Gerardo di Monza” ku i është nënshtruar një operacioni kirurgjikal. Ende nuk dihet si është gjendja shëndetësore e shqiptarit, por mësohet se policia gjatë natës ka kryer një sërë operacionesh kërkimi në zonë.
20 Nentor 2008