E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata dënon me 20 vjet burg pedofilin anglez

David Braun, person i padëshiruar, do të dëbohet nga Shqipëria pas kryerjes së dënimit. Sekuestrohen dhe kalojnë në favor të shtetit llogaritë bankare të Braun

Luan Kondi

TIRANË- Gjykata dha më në fund, pas seancave maratonë, vendimin për David Braun. Shtetasi anglez, “babai” i fondacionit “Fëmijët e tij”, do të vuajë 20 vjet burg dhe më pas do të dëbohet nga Shqipëria si person i padëshiruar. Verdikti u dha dje nga trupi gjykues i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, i kryesuar nga Gert Hoxha.
Vendimi
57-vjeçari, i cili pretendonte se kishte ardhur në Shqipëri për të ndihmuar fëmijët shqiptarë, u deklarua fajtor për veprën penale të marrëdhënies homoseksuale me të mitur. Pasi të kryejë dënimin në një burg të sigurisë së lartë - sipas vendimit të gjykatës - shtetasi anglez do të dëbohet nga Shqipëria si person non grata. Kjo kërkesë ishte paraqitur në gjykatë nga prokurori i çështjes, Kol Hysenaj. Ndërsa një seancë më parë, më 5 nëntor, i pandehuri Braun i kërkoi trupit gjykues dhënien e një vendimi të drejtë duke deklaruar se në asnjë rast nuk kishte abuzuar seksualisht me të miturit e qendrës “Fëmijët e tij”. Ashtu si edhe në seancën e kaluar, David Braun tha se ai nuk kishte abuzuar me fëmijët. “Unë e di që ju do të vendosni për jetën time mbi veprimtarinë që kam pasur në shtetin shqiptar. Jam njeri i ndershëm. Të dy fëmijëve, për të cilët akuzohem se kam abuzuar me ta, unë u kam shpëtuar jetën duke i nxjerrë nga gjendja ekzistuese ku ata ishin. Denis Aliu ishte abuzuar qëkur unë e kam marrë nga rruga. Kujdesi im për këta fëmijë ka qenë siç mund të kujdesesha për trupin tim, si një baba për ta. Në lidhje me Denis Aliun e pranoj që ai ka ardhur në krevatin tim, por unë nuk kam abuzuar me të”, - tha Braun, duke kërkuar që të mos dënohej.
Bashkëpunëtorët
Për të njëjtën vepër penale akuzohen edhe dy miqtë e tij, Dino Kristodulose dhe Robin Arnold, të cilët gjykohen në një proces të veçantë për shkak se u arrestuan në Londër dhe u ekstraduan drejt Shqipërisë para pak muajsh. Sipas akuzës, 10 fëmijë të moshës 4- 13 vjeç dëshmuan në gjykatë se ishin abuzuar seksualisht nga 3 shtetasit anglezë. Madje, në disa raste fëmijët kishin rrëfyer se ishin përdhunuar edhe të lidhur. Avokatët pretendonin se dëshmia e fëmijëve ishte e pasigurt dhe se ata ishin manipuluar nga prokurorët.

20 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›