Ristrukturimi i ARMO-s dhe Albpetrol-it, punonjësit do të marrin pension nga pronarët
Në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës, të Ligjit Nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të Nenit 58, të Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave vendosi që: Pika 5, e Vendimit Nr.261, datë 27.2.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshohet si më poshtë vijon: “Shoqëritë do të përballojnë me likuiditetet e veta fondet e llogaritura për pagesën e punonjësve, që dalin të papunë, si më poshtë vijon: a) 478.988.502 (katërqind e shtatëdhjetë e tetë milionë e nëntëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e dy) lekë, për 606 punonjësit që dalin pa punë nga ristrukturimi i “ARMO, sh.a.”, Tiranë; b) 672.200.000 (gjashtëqind e shtatëdhjetë e dy milionë e dyqind mijë) lekë për 1100 punonjësit që dalin pa punë nga ristrukturimi i “Albpetrol sh.a.”, Patos. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Shtypshkronja e Letrave me Vlerë, qeveria shtyn afatin e mbylljes
Në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës, të Ligjit Nr. 7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar dhe të Ligjit Nr.8976, datë 12.12.2002, “Për akcizat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi: 1) Shtypja e letrave me vlerë realizohet nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë sh.a., me kapital shtetëror, në varësi të ministrit të Financave. 2) Letra me vlerë, në kuptim të këtij vendimi, do të vlerësohen pullat fiskale, biletat e transportit, rrugor dhe hekurudhor. 3) Procedurat, afatet dhe çështje të tjera, që lidhen me prodhimin e letrave me vlerë, rregullohen me udhëzimin e ministrit të Financave, që do të dalë brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. 4) Vendimi Nr. 402, datë 6.8.1993, “Për shtypjen e letrave me vlerë” dhe Vendimi Nr.183, datë 28.3.2007, “Për organizimin, shtypjen dhe emetimin e biletave të transportit rrugor”, të Këshillit të Ministrave, shfuqizohen.
METE do të japë me koncesion HEC-in e Skavicës
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka hapur procedurën parakualifikuese për dhënien me koncesion tip "Bot" të Hidrocentralit të Skavicës mbi Lumin Drin i Zi, në Rrethin e Dibrës. Projekti kërkohet të realizohet në Lumin Drin i Zi, në Rrethin e Dibrës, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e kërkesave është data 17 dhjetor 2008. Gjithashtu METE ka hapur procedurën konkurruese për dhënien me koncesion të Minierës së Kromit në Kalimash, Minierës së Kromit në Vlahna, Fabrikës së Pasurimit të Kromit në Kalimash dhe Fabrikës së Pasurimit të Bakrit në Golaj. Afati i fundit i dorëzimit të ofertave është data 11 shkurt 2009 dhe ato do të hapen në të njëjtën ditë.
20 Nentor 2008