Zjarr te Parku, digjen makinat e sekuestruara, asnjë i lënduar
Tiranë – Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer dje pasdite në Parkun e Ministrisë së Brendshme duke shkaktuar djegien e të gjitha makinave të bllokuara nga Policia Rrugore. Burime policore thanë për gazetën se të paktën 50 makina që ishin parkuar pas bllokimit për mungesë dokumentacioni u përfshinë nga flakët që shpërthyen për shkaqe ende të paqarta. Parku i Ministrisë së Brendshme ndodhet në Unazën e Re, përpara vendit të quajtur pallatet me shigjeta dhe momentalisht zjarri është afruar shumë dhe te pallatet ngjitur me parkun. Sipas policisë bëhet e ditur se po hetohet në dy pista, njëra është loja e disa fëmijëve pranë grumbullit të automjeteve të vjetra të cilët më pas mund t’i kenë vënë zjarrin. Pista e dytë ka të bëjë me vënien e qëllimshme të zjarrit, pasi automjetet e vjetra zinin një pjesë të madhe të sipërfaqes së ish-Parkut, gjë që e bënte sipërfaqen e parkimit më të ngushtë. Fatmirësisht, pranë automjeteve të vjetra nuk ka pasur objekte që mund të ndihmonin në përhapjen e flakëve. Zjarrfikësit kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë shuar zjarrin. Përmasat e tij në fillim kanë qenë shumë të mëdha gjë që ka shkaktuar panik në banorët e pallateve të zonës aty pranë.
20 Nentor 2008