E Diel, 1 Nëntor 2026

Deficit i lartë, nevojitet balancë mes të ardhurave dhe shpenzimeve



Banka e Shqipërisë ka përsëritur thirrjet në adresë të qeverisë, për të miradministruar të ardhurat në vazhdim, në një kohë kur deficiti buxhetor është thelluar në masë të konsiderueshme. Duke iu referuar tremujorit të parë dhe vëzhgimin mbi muajin prill, BSH-ja theksoi, se aktiviteti tregtar me jashtë ka shënuar rënie të eksporteve dhe të importeve. “Megjithatë, deficiti tregtar i vendit vazhdon të mbetet i lartë, duke shënuar madje një zgjerim vjetor prej 4.8 për qindësh gjatë tremujorit të parë të vitit. Ky zgjerim pasqyron edhe kërkesën e lartë të ekonomisë për mallrat e importit të lidhur kryesisht me projektet e infrastrukturës në vend. Megjithatë, rritja më e shpejtë e shpenzimeve ka bërë që deficiti buxhetor të zgjerohet gjatë katër muajve të parë të vitit”, deklarojnë ekspertët e BSH-së. Sipas tyre, megjithëse deficiti buxhetor mbetet brenda parametrave të programuar, ecuria e mëtejshme e tij duhet të monitorohet me kujdes për të bërë të mundur një ecuri të balancuar të të ardhurave dhe të shpenzimeve buxhetore dhe reduktimin e ndikimit të deficitit buxhetor në tregun e brendshëm financiar. “Në tremujorin e parë të vitit 2009, zgjerimi monetar ka vijuar të ngadalësohet. Krijimi i parasë u mbështet kryesisht nga kreditimi i sektorit privat, si dhe rritja e financimit të sektorit publik, e cila është reflektuar në rritjen e mjeteve të brendshme monetare”, informojnë ndër të tjera specialistët e BSH-së. Ndërkaq, ecuria e kursit të këmbimit ka vijuar tendencën nënçmuese edhe gjatë muajit prill. Zhvillimet e fundit në kursin e këmbimit nuk kanë lejuar përcjelljen e çmimeve të ulëta në tregjet botërore në çmimet e konsumit në Shqipëri. Dobësimi i monedhës vendase kundrejt shportës së monedhave kryesore vlerësohet të ketë dhënë një ndikim në inflacionin e mallrave të tregtueshëm të muajit prill.

5 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›