E Diel, 1 Nëntor 2026

Deficiti demokratik i integrimit, ose antipolitika

Blendi Kajsiu 

Thonë se dashuria e vërtetë është e verbër. Nëse është vërtet kështu, atëherë ne jemi të dashuruar me BE-në. Prandaj ndonjë të metë të saj si deficiti demokratik nuk na e zë as syri, as veshi dhe aq më pak mendja. Ndonëse deficiti demokratik është një nga ngërçet që qëndron në themel të vetë idesë së Bashkimit Europian. Sa më shumë BE-ja thellohet, zgjerohet dhe konsolidohet si organizëm, aq më pak demokratike ...ajo bëhet, pasi vendimmarrja në Bruksel largohet gjithnjë e më tepër nga qytetari i thjeshtë europian. Është pikërisht ky deficit që shpjegon votën kundër të mjaft kombeve europiane ndaj një kushtetute për BE-në. Shumica e qytetarëve europianë edhe pse pro Europës si ide mbeten skeptik ndaj një organizmi të centralizuar superburokratik si BE-ja, që nuk mund ta kontrollojnë me votën e tyre.  Pikërisht për të mbushur hendekun në rritje mes vendimmarrjes dhe qytetarëve, BE-ja prodhon legjislacion pafund në mënyrë që vendimmarrja të jetë sa më transparente dhe legale për t'u bërë legjitime. Ndaj legjislacioni europian (acquis communitaire) tashmë ka shkuar rreth 100.000 faqe. Kështu në diskursin e BE-së demokracia përkufizohet gjithnjë e më pak në dimensionin e saj popullor dhe gjithnjë e më shumë në dimensionin e saj ligjor, si sistemi i shtetit të së drejtës (apo rule of law). Ndërkohë pjesëmarrja e qytetarëve zëvendësohet me pjesëmarrjen e grupeve të interesit apo OJQ-ve që duhet të shërbejnë si hallka lidhëse mes qytetarëve dhe vendimmarrjes, çka ka bërë që Brukseli të kthehet në një koshere lobistësh dhe OJQ-sh. Që ky model që synon ta zëvendësojë demokracinë me ligj ende vuan nga deficiti demokratik del qartë jo vetëm nga goditjet e herëpashershme që BE-ja merr në referendume, por edhe nga pjesëmarrja qesharake në votimet që bëhen për në Parlamentin Europian.
Po ç'lidhje ka kjo me Shqipërinë? Me hallet që kemi ne të merr malli për deficitin demokratik të BE-së - mund të thotë shumëkush. E megjithatë lidhjet janë të shumta dhe thelbësore. Së pari, vetë modeli i demokratizimit të Shqipërisë sot buron nga BE-ja. Ndaj sot ne theksojmë ndërtimin e një demokracie me sa më pak politikë, por me sa më shumë ligj dhe institucione të forta, me sa më pak politikanë dhe sa më shumë burokratë dhe teknicienë, ku reformat kryesore nuk janë ekonomike, por legjislative, ku pjesëmarrja e qytetarëve reduktohet tek vota një herë në katër vjet, ku në vend të protestave popullore rekomandohen lëvizjet OJQ-iste, ku shoqëria civile është reduktuar në disa OJF që kanë të bëjnë më shumë me donatorët e huaj sesa me shoqërinë shqiptare. Bëhet fjalë për një demokraci burokratiko-teknokratiko-legjislative, që në kushtet e një Europe të zhvilluar ekonomikisht dhe shoqërisht prodhon mërzi, ndërsa në kushtet e Shqipërisë dëshpërim.
Së dyti, nëse vetë ideali ynë BE-ja vuan nga deficiti demokratik, procesi i integrimit në BE prodhon një demokraci gjithnjë e më shumë në deficencë. Në fund të fundit qytetarët dhe shtetet anëtare të BE-së kanë të drejtë të votojnë dhe ndikojnë vendimmarrjen e BE-së herë pas here. Ndërsa ne si shtet dhe si qytetarë jemi thjesht konsumatorë dhe zbatues, por jo ndikues të politikave që prodhohen në BE. Kur BE-ja thotë se duhet të luftojmë krimin dhe drogën, ne ndërmarrim ndonjë fushatë anti-kanabis që djeg ca rrënjë në Lazarat ose fut në burg nënë Feridenë apo dikë të ngjashëm që s'ka as lekë dhe as lidhje për t'i shpëtuar dorës së rëndë të ligjit tonë që bie lehtë tek shtresat në nevojë dhe pa mbështetje. Natyrisht pas çdo fushate antikanabis mbillet sërish kanabisi, sepse ne presim që BE-ja të na thotë se me se do të rrojnë fshatarët në Lazarat apo gjetkë nëse nuk mbjellin kanabis, duke qenë se integrimi në tregun europian dhe rajonal nëpërmjet marrëveshjeve të tregtisë së lirë ka fshirë nga faqja e dheut prodhimin bujqësor vendas. 
Po kështu kur BE-ja thotë luftoni drogën dhe krimin e organizuar ne arrestojmë ca banda dhe ndalojmë ca drogë, edhe pse tregtia e drogës vazhdon, sepse në kushtet e mungesës së zhvillimit ekonomik shumica dërrmuese e rinisë shqiptare, që e do Europën me shpirt, nuk ka si të pasurohet ndryshe për t'u bërë "evropiane". E megjithatë ne vazhdimisht marrim angazhime përpara Europës se do forcojmë kufijtë dhe luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar shqiptar. Edhe pse droga përpara se të mbërrijë në kufijtë shqiptarë ka hyrë në kufijtë e BE-së; edhe pse krimi i organizuar shqiptar zhvillohet kryesisht në kryeqytetet e BE-së në sajë të korruptimit të zyrtarëve të atjeshëm. Përndryshe do na duhej të besonim që një dorë emigrantësh shqiptarë ndërtokan perandori kriminale në mes të Athinës, Romës, Parisit apo Londrës nën hundën e autoriteteve krejt të pafuqishme për t'ia 'shtypur kokën', mesa duket nga dashuria që kanë për emigrantët.  
Kështu qeveritë shqiptare angazhohen për një sërë problemesh që shpesh fillojnë dhe mbarojnë jashtë tyre. Ndërkohë që problemet e brendshme, si papunësia, bëhen dytësore teksa ne lëmë veten pas dore për t'iu afruar BE-së. Roli i politikanëve vendas është reduktuar thjesht tek zbatimi i rekomandimeve që vijnë nga BE-ja, edhe pse ato mund të mos reflektojnë aspak prioritetet lokale, edhe pse ato mund të jenë tërësisht të pazbatueshme në kushtet e Shqipërisë. Kështu politikanët tanë duhet ndërtojnë një administratë meritokratike, ku të mos punësohen militantët partiakë, edhe pse ata vijnë në pushtet nëpërmjet këtyre militantëve, që për më tepër nuk kanë ku t'i punësojnë tjetër në kushtet e një ekonomie ku shteti merret vetëm me veten, sipas një modeli që vjen po nga BE-ja. Po sipas BE-së, qeveritë shqiptare duhet që edhe të jenë efikase në realizimin e investimeve, por edhe të realizojnë të gjithë tenderët sipas standardeve të pafundme europiane. Edhe pse realizimi i investimeve sipas të gjitha procedurave dhe standardeve europiane do kërkonte një mandat qeverisës të paktën 10-vjeçar. Sipas BE-së, udhëheqësit tanë politikë duhet të luftojnë korrupsionin dhe krimin, të forcojnë institucionet dhe kontrollin e kufijve, ndërkohë që shqetësimi kryesor i qytetarëve shqiptarë është papunësia, ndërsa shpresa e tyre kalimi i kufijve.  
Jo rastësisht përfitimi më i madh që shqiptarët shohin tek BE-ja mbetet lëvizja e lirë. E thënë ndryshe dëshira për t'u larguar sa më parë nga Shqipëria. Ironia therëse qëndron në faktin se çdo ekzekutiv shqiptar do ta shesë heqjen e vizave si arritjen më madhore të tij, ndërkohë që etja për t'u larguar nga Shqipëria është treguesi më monumental i dështimit të qeverisjeve shqiptare. Pikërisht tek ky dështim buron edhe euroentuziazmi shqiptar, apo dashuria jonë për BE-në. Ne e duam BE-në sepse nuk dimë dhe nuk mund të duam vetveten. Në procesin e integrimit Shqipëria nuk ka arritur të saktësojë prioritetet e saj të brendshme sociale, ekonomike apo zhvillimore. Për çdo problem në Shqipëri ka një dhe vetëm një zgjidhje; integrimi euroatlantik. Dhuna në familje, zhvillimi i pabalancuar gjeografik, pabarazia sociale, aksidentet rrugore, bujqësia, ekonomia, vetëvrasjet në rritje, të gjitha do të zgjidhen nëpërmjet integrimit euroatlantik, duke adoptuar legjislacionin evropian, që mesa duket do t'i ndalojë me ligj këto fenomene negative. 
Pamundësia e procesit të integrimit për të zgjidhur këto probleme përkthehet në dështim të politikanëve dhe politikës shqiptare. Në këtë mënyrë anti-politika shërben më së miri për të legjitimuar procesin e integrimit. Dashuria jonë për BE-në rritet mbi urrejtjen që kemi ndaj politikanëve vendas. Sa më shumë urrejmë politikanët tanë, aq më shumë duam BE-në. Dhe BE-ja si me modelin e saj demokratik ashtu edhe me politikat që ofron ushqen vazhdimisht urrejtjen tonë ndaj politikës vendase. Çdo eurokrat që shkel në Tiranë e fillon ditën duke vajtuar, bashkë me ne, klasën tonë politike. Jo rastësisht në raportet e BE-së çdo dështim në reformat e integrimit shpjegohet me mungesën e vullnetit politik. Aq sa të krijohet përshtypja se sikur të kishim një dorë politikanësh vullnetmirë dhe të aftë gjithçka do zgjidhej. Kështu deficiti demokratik që buron nga vetë procesi i integrimit përkthehet në dështim të politikanëve të cilëve u mungon ose vullneti ose aftësia, ose të dyja bashkë. Prandaj këta të fundit nuk reshtin së reklamuari vullnetin ose aftësinë e tyre të mirë. Opozita e djeshme demokrate na ofroi duart e pastra ndërsa kjo e sotmja socialiste ofron duart e shkathëta, edhe pse e vërteta është që të dyja i kanë duart e lidhura. 
Dhe për shumëkënd është më mirë kështu, sepse një Zot e di se ç'mund të bënin politikanët tanë po t'u lihej dorë e lirë.  Prandaj të shumtë janë ata që BE-në dhe integrimin e përqafojnë si të vetmen mundësi për t'i vënë fre potencialit gjëmëmadh të politikës sonë. E ndoshta kanë të drejtë, ndoshta është më mirë që mos të rrezikojmë duke e nxjerrë procesin tonë politik jashtë ngastrës së sigurt të integrimit që kufizon potencialin negative të politikës sonë. Ama nuk është e ndershme që nga njëra anë të ndihemi rehat kur politikanëve tanë u lidhen duart dhe mendjet nga BE-ja dhe nga ana tjetër të bërtasim se politikanët tanë me duart dhe mendjet e tyre të lidhura nuk po na zgjidhin hallet tona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›