E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha, mesazh urimi Hillari Klinton

 

Ministri i Jashtëm shqiptar Lulëzim Basha, me rastin e marrjes së detyrës së re, i ka dërguar një mesazh urimi Sekretares amerikane të Shtetit, Hillari Clinton. Lajmin e bëjnë të ditur burime pranë zyrës së shtypit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, sipas të cilave në mesazhin e tij, Basha e vë theksin në veçanti tek thellimi i marrëdhënieve "të ngushta e miqësore" mes dy vendeve. "Ne jemi thellësisht mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e SHBA-ve dhe të vendosur që të punojmë mbi baza dy dhe shumëpalëshe për nxitjen e këtij partneriteti, për përparimin dhe forcimin e mëtejshëm të vlerave të përbashkëta demokratike", është shprehur Basha në mesazhin e tij. "Zonja Sekretare, emërimi Juaj vjen në një periudhë tejet të rëndësishme sfidash madhore. Shqipëria krenohet që është aleate e SHBA-ve dhe është e gatshme të punojë aktivisht e së bashku në përballimin e këtyre sfidave  globale dhe rajonale. Në planin rajonal, Shqipëria do të vazhdojë të rrezatojë stabilitet, moderacion dhe frymë konstruktive, duke kontribuar aktivisht në integrimin e Ballkanit në strukturat Euro-Atlantike. Gjej rastin për të evokuar me kënaqësi dhe nderim të veçantë ndihmesën e vyer dhe historike që ka dhënë populli amerikan, Ju, dhe në veçanti Presidenti Klinton për Kosovën", shprehet ministri Basha në urimin e tij për Sekretaren amerikane të Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›