Meta: Kompani nga SHBA për ruajtjen e votës
Kreu i LSI-së konfirmoi dje marrëveshjen me kompaninë amerikane "Greenberg Quinlan Rosner" për organizimin e fushatës zgjedhore dhe ruajtjen e votës. Pas takimit që zhvilloi me deputetë holandezë të Parlamentit Evropian, Meta dha detaje të marrëveshjes me kompaninë amerikane. "Ne kemi mbyllur një marrëveshje mirëkuptimi me një nga kompanitë më të njohura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila asiston dhe përkrah kandidatë progresistë, si në SHBA, por edhe Europë e në vende të tjera. Me kompaninë kemi rënë dakord për të realizuar dhe një strategji tepër të gjerë përsa i takon mbrojtjes së votës nga manipulimi. Çdo gjë do të bëhet transparente për publikun në momentin e duhur, por mund t'ju them se u realizua ai premtim që ne kemi dhënë, se do të bëjmë çdo gjë për të ofruar garanci shtesë që procesi zgjedhor në Shqipëri të jetë i mbrojtur nga ato qëllime të këqija të dy partive, binjake përsa i takon konceptit tepër të ngushtë që kanë për zgjedhjet dhe për demokracinë", tha Meta.