E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, bllokohet monitorimi

 

BLEDAR HOTI

Komisioni për monitorimin e kartave të identitetit fut në sherr demokratët dhe socialistët. Dy partitë nuk ranë dakord për formulën e ngritjes së komisionit të posaçëm, pasi PS shprehet kundër formulës së drejtimit nga ana e dy bashkëkryetarëve. Nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe e ka cilësuar si jo të drejtë kërkesën e PD-së për të realizuar një bashkëmonitorim, pasi qeverisja që realizon këtë proces është e demokratëve. Por kjo nuk është pranuar nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili ka theksuar se "demokratëve nuk mund t'i mohohet e drejta e monitorimit të qeverisjes". Për më shumë se një orë demokratët dhe socialistët kanë debatuar ndërmjet tyre në lidhje me mënyrën e funksionimit të këtij komisioni. Socialistët kanë qëndruar stoik me faktin se nisma për këtë komision është e opozitës dhe i takon asaj kryetari. Për Patozin procesi monitorues është mjaft i rëndësishëm dhe nuk mund të lihet jashtë PD-ja në pasjen e bashkëkryesimit të komisionit. Një precedent i tillë është lidhur edhe me komision e posaçëm për reformën zgjedhore. Por palët kanë vazhduar të jenë në linja të kundërta në lidhje me këtë komision të posaçëm, duke bërë që kryeparlamentarja Topalli pas një orë mbledhje të ndërpresë diskutimet mbi këtë çështje. Ajo i ka kërkuar PS-së dhe PD-së që të negociojnë së bashku gjer në arritjen e një konsensusi të përbashkët për mënyrën e funksionimit të komisionit të posaçëm parlamentar, që do të monitorojë procesin e pajisjes së shtetasve shqiptarë me kartat e identitetit. Demokratët dhe socialistët kanë rënë dakord vetëm për një çështje, që përbërja e komisionit të jetë me përfaqësues nga të gjitha partitë parlamentare. Ditën e hënë konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare pritet të mblidhet sërish për të vendosur përfundimisht për mënyrën e funksionimit të komisionit të posaçëm të kërkuar nga ana e PS-së. Kryetari i socialistëve Edi Rama disa ditë më parë kërkoi publikisht që qeveria të pranonte ngritjen e një komisioni të posaçëm për monitorimin e procesit të pajisjes me karta të identitetit të shtetasve shqiptarë, për shkak të afateve të limituara. Transparenca, ndjekja hap pas hapi i këtij procesi ishin disa nga arsyet se Rama argumentoi për krijimin e një komisioni të posaçëm. Kryeministri Sali Berisha pranoi kërkesën e liderit të PS-së, duke theksuar se është i gatshëm të bashkëpunojë në këtë drejtim. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi disa ditë më parë duke mbështetur nismën e PS-së, hodhi tezën që komisioni të kishte dy bashkëkryetar, një nga socialistët dhe një nga demokratët. Procesi i kartave të identitetit shihet jetik nga ana e qeverisë dhe partive politike, pasi në Kodin Zgjedhor është përcaktuar se nuk do të lejohet për të votuar me anë të certifikatave. Gjithashtu Kodi i ri Zgjedhor parashikon në të njëjtën kohë që shtetasit që nuk kanë karta të votojnë edhe me pasaportat që përdoren për jashtë shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›