PS jep konsensus, gati rezoluta për aplikimin e Shqipërisë në BE
Demokratët dhe socialistët japin konsensusin për integrimin e Shqipërisë në BE. Mbledhja e djeshme e Komisionit të Jashtëm është karakterizuar nga fryma e konsensusit ndërmjet maxhorancës dhe opozitës, për sa i përket procesit të integrimit. Projektrezoluta e grupit të PD-së "Për marrjen e statusit të kandidatit të BE-së" ka marrë dritën jeshile nga socialistët, të cilët u shprehën se janë pro miratimit të një rezolute të tillë. Nënkryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme, Arta Dade theksoi se "nuk i duhet vendosur qeverisë kushte për datën e shpalljes së kërkesës për marrjen e statusit të kandidatit, por një gjë e tillë duhet të realizohet mbi bazën e konsultave me presidencën ceke". Kryekomisioneri Preç Zogaj e vlerësoi së tepërmi qëndrimin e opozitës, e cila është pro proceseve integruese të Shqipërisë. Rezoluta kërkon gjithashtu që si kriter për pranimin e kërkesës nga BE të merret parasysh dhe standardi i zgjedhjeve të qershorit 2009. "Një nga paragrafet përmenden edhe zgjedhjet dhe është angazhimi ynë i përbashkët dhe solemn që qeveria të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme. Jemi të vetëdijshëm plotësisht për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, për rëndësinë e zbatimit të standardeve më të përparuara", vijoi Zogaj. Anëtari demokrat i komisionit, Besnik Mustafaj, e konsideroi këtë dokument një hap të rëndësishëm në kuadër të procesit për anëtarësim në BE. Ai shtoi se "mendoj se nuk është e drejtë që ne t'i vëmë kushte BE-së për një përgjigje lidhur me këtë kërkesë. Mendoj se do të ishte një inkurajim shumë i madh për qeverinë e parlamentin dhe do ta quaja të dobishme nëse përgjigja nga BE vjen para zgjedhjeve".