E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku ta mbjell pemën time zoti Rama?!

Erisa Xhixho 

U bë më shumë se një javë, që zoti Edi Rama, çuditërisht po merret në shumicë vetëm me çështjet e bashkisë së kryeqytetit dhe komunitetit. Për komunitetin ishte edhe mbledhja e habitshme e ditës së diel, ditë pushimi për të gjithë të pranishmit në sallën e Pallatit të Kongreseve, por pune sepse duhej dëgjuar kryetari i bashkisë. Do të ishte shumë më institucionale që gjithçka, qoftë edhe më shumë prej atyre që u tha në auto-dëgjesën, të parashtroheshin nga vetë Raman në Këshillin Bashkiak dhe, madje edhe të mbroheshin pas pyetjeve që mund të lindnin. Por duket qartë, se kryetari i bashkisë njëkohësisht edhe i PS, pretendent për kryeministër, nuk i dëshiron aspak institucionet, as debatin, as kundërshtitë, por vetëm zbatimin e urdhrave të tij.Eshtë A-ja e një shteti demokratik dhe liberal, që kushdo duhet të japë sqarime dhe të ketë transparencë në radhë të parë për përdorimin e parave të marra nga qytetarët në formën e taksave dhe për shpenzimin e tyre në formën e investimeve. Kjo vlen edhe për buxhetin e bashkisë që drejton Edi Rama. Për një buxhet tepër të rëndësishëm si ai i Tiranës, duhet të shqetësoheshim nëse nuk do të kishte debate e kundërshtime, madje edhe rrëzim të tij. Debati sjell përgjegjësi më të mëdha për ekzekutivin, por edhe për Këshillin Bashkiak, i cili në këtë mënyrë bëhet pjesë integrale e projektit të bashkisë dhe nuk kthehet në një shtojcë, duke humbur plotësisht rolin e vet. Në vend që të vlerësohej aktivizimi i plotë i këtij këshilli, në vend që të vlerësohej mendimi i tij dhe të debatohej për ato që janë parashtruar nga këshilltarët, u kalua në sulme pa asnjë objektiv. Fryma e mungesës së dëgjimit, fryma e komandimit si në ushtri, largimi nga përballja me mendimin ndryshe, duhet të na shqetësojë të gjithëve, komunitetin kryeqytetas në radhë të parë. Kjo është një sëmundje e trashëguar dhe kjo lloj politike imponuese nuk ka asgjë të re, por është madje shumë e vjetër.
Eshtë alogjike të mendosh, se zoti Rama ka debulesë të madhe për komunitetin, kur ai këshilltarët e zgjedhur nga ky komunitet as nuk merr parasysh t'i dëgjojë. Si mund të jetë i prekur zoti Rama nga problemet e komunitetit, kur ai braktis institucionin për të cilin është votuar tri here në ditën kur i duhej më shumë atij, për të marrë një certifikatë, në një botë tjetër, atë arabe.
Zoti Rama dhe bashkëpunëtori i tij më i afërt, ose më saktë mëkëmbësi i tij në bashki, vazhdojnë të vjellin vrer për mosmiratimin e buxhetit, por njëkohësisht vazhdojnë me këmbëngulje të mos deklarohen për një rishikim ose rikonsiderim të kërkesave shumë konstruktive të këshilltarëve dhe të kryetarëve të njësive bashkiake. Kjo është një lloj kryeneçësie e verbër dhe këmbëngulje e shurdhër, njësoj si e një fëmije që nuk merr lodrën e tij.
E duke u qarë për komunitetin që po humbet kaq shumë investime, nga mosmiratimi i buxhetit, kryebashkiaku hedh në treg edhe një nismë të re: një qytetar, një pemë.
Nismë kjo që vjen menjëherë pas nismës së Berishës për qytetarët dhe ullinjtë. Dhe me keqardhje vë re, se 500 vjet pas Skënderbeut, drejtuesit e këtij vendi, nuk kanë asnjë ide më shumë se ajo që pati Gjergj Kastrioti; çdo çift që martohej të mbillte 25 rrënjë ullinj. Kjo ide e Kastriotit vazhdon të japë frutet edhe sot e kësaj dite, duke mbushur tregun politik me "idetë" e Berishës për ullishtizimin e gjithë Shqipërisë, apo me "idetë" e Ramës për pemëzimin e qytetarëve të gjithë Tiranës. Me një ndryshim të "vogël". Në kohën e Kastriotit nuk kishte leje ndërtimi të dhëna pa kriter, nuk kishte pluhur mbytës e vrasës. Të kërkosh sot, që tiranasit, jo më pak se 600 mijë, të mbjellin secili nga një pemë, apo për secilin prej tyre do të mbjellësh një pemë, është hipokrizi dhe tallje në surrat për komunitetin tënd. Sepse sot nuk ka asnjë pëllëmbë vend ku do të mbillen këto pemë. Në çdo 30 pallate të reja, janë mbjellë vetëm ca shkurre, që të vjen keq t'i shohësh. Nuk është gjelbërim ato dy-tre mollë të kuqe, katër-pesë plepa, apo gjashtë-shtatë rrepër. Sepse Europa ka masën e saj përgjegjëse për qytetarët dhe gjelbërimin që u përgjigjet atyre. Dhe gjelbërim ata nuk quajnë lulet e mbjella në parvazet e dritareve. Nuk quhen as lëvizjet hipokrite "një qytetar, një pemë". Por quhen parqet me pemë dhe jo lulishtëzat me krisje, quhen rrugët dhe minirrugët me vendin e tyre për gjelbërimin dhe jo për shtesa tinëzare pallatesh me lejen në xhep. Ky është ambienti ku jetojnë sot mijëra qytetarë të Tiranës, ende me shpresën se kryetari i tyre i bashkisë do të bëjë diçka për frymëmarrjen e tyre, dhe nuk do t'i japë një tjetër goditje asaj, edhe duke prishur parkun e liqenit artificial. Rasti më flagrant që tregon se sa i nëpërkëmbur është qytetari dhe komuniteti i Tiranës nga bashkia dhe kreu i saj, është ndërtimi i një pallati tetëkatësh shumë pranë digës së liqenit, si monumenti antiqytetar i radhës.
Ky komunitet nuk ndihet i shërbyer, zoti Rama. Ju thatë "shërbëtorë" në auto-dëgjesën tuaj të dielën. Por ne, qytetarët e Tiranës, nuk kërkojmë shërbëtorë. Ne kërkojmë të na shërbejnë, sepse paguajmë shtrenjtë për ato shërbime. Por sot ndihemi jetimë. Qoftë edhe pse s'kemi vend për të mbjellë një pemë, apo pse s'kemi pemë për t'i lyer me gëlqere. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›