E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deficiti i buxhetit, Mima:Nuk shkurtohen investimet

Qeveria do të rishohë buxhetin e këtij viti, me qëllim të ulë nivelin e deficitit buxhetor. 

Fabiola Çela

Ulja e nivelit të këtij treguesi ka qenë në qendër të diskutimeve mes deputetëve të opozitës dhe zëvendësministrit të Financave, Florjon Mima. Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë, Mima u shpreh se ulja e deficitit do të arrihet përmes rritjes së të ardhurave. Sipas të dhënave më të fundit, gjatë këtij katër mujori janë në nivele goxha të mira. Por, sipas opozitës, shkak i uljes së nivelit të deficitit është mosrealizimi i investimeve publike.
Deficiti
Niveli i këtij treguesi është 7.9 për qind dhe përfaqësuesit e qeverisë kanë premtuar se do ta ulin në 5.2 për qind. Kjo do të arrihet përmes tejkalimit të të ardhurave, që është realizuar gjatë këtij katër mujori. Gjithashtu ekspertët e Ministrisë së Financave do të kryejnë edhe disa korrigjime të tjera në buxhet, por nuk do të preket niveli i shpenzimeve, veçanërisht nivelin e shpenzimeve kapitale. Por sipas deputetit socialist, Arben Malaj, deficiti buxhetor në nivelin 7.9 për qind është ndër më të lartët në këto 17 vite. Madje, sipas tij, ulja e nivelit të deficitit që ka marrë përsipër qeveria nuk vjen nga tejkalimi i të ardhurave, por nga mosrealizimi i investimeve. Vitin e ardhshëm do të përfundojë marrëveshja që ka nënshkruar vendi ynë me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Me përfundimin e kësaj marrëveshje, Shqipëria ka hyrë në vendet ku ekonomia e të cilëve është në zhvillim, duke dalë kështu nga kategoria e vendeve të varfra. Por kjo sjell edhe shumë risi të tjera. Shqipëria nuk mund të marrë më kredi me terma të buta, por me terma tregtare, ashtu si të gjitha vendet në zhvillim. Me përfundimin e marrëveshjes me FMN-në rolin e mbikëqyrësit do ta marrë Bashkimi Evropian, ku ndër kushtet që vendos, të njohura si kriteret e Mastriktit, është edhe niveli i deficitit tregtar në masën 3 për qind. Por për qeverinë shqiptare mbajtja e deficitit buxhetor në këtë nivel është një mision gati i pamundur. Në një situatë të tillë, zëvendësministri i Financave, Mima, ka sugjeruar që të hapet një debat ku të diskutohet se si mund të realizohet ulja e deficitit buxhetor në 3 për qind.
Buxheti
Në korrik të këtij viti qeveria do të miratojë për të tretin vit radhazi buxhetin suplementar. Për këtë vit drejtuesit e qeverisë kanë vendosur që të shpenzojnë 14 miliardë lekë për investime publike. Duke qenë se ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës është shpallur prioritet i qeverisë Berisha, është menduar që 5 deri në 10 miliardë lekë të fondit të investimeve të përdoren për ndërtimin e kësaj rruge. Në këtë mënyrë qeveria i jep zgjidhje edhe shqetësimit të ngritur nga ndërkombëtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar, se realizmi i këtij projekti po tejkalon koston e planifikuar në fillim të tij. Duke qenë se terreni ku po ndërtohet kjo rrugë është goxha i vështirë, firmat ndërtuese kanë hasur vështirë. Kjo ka bërë që të rritet kosto për njësi, problem ky që u ngrit edhe nga ndërkombëtarët. Për të evituar këtë problem, qeveria ka vendosur që pjesa më e madhe e fondit të investimeve të shkojnë për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për ndërtimin e rrugëve të tjera, e sidomos ato turistike. Fondi i investimeve në buxhetin suplementar të këtij viti është realizuar nga të ardhurat nga tatimet dhe doganat.

FMN: Qeveria duhet të ulë borxhin

Në përfundim të misionit në Shqipëri, Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka rekomanduar qeverisë që të ulë nivelin e borxhit. "Rritja e bollshme e të ardhurave duhet përdorur për të konsoliduar financat publike dhe për të mbajtur deficitin e buxhetit në 5.2 për qind të PBB-së. Duke qenë se disa rreziqe fiskale mbeten -  p.sh. tejkalimi i kostos në rrugën Rrëshen-Kalimash dhe situata e keqe financiare e KESH-it - planet e Ministrisë së Financave për të mbajtur fonde kontigjence të mjaftueshme janë të mirëpritura", kanë deklaruar drejtuesit e FMN-së pak ditë më parë. Sipas tyre, në përfundim të programit me FMN-në buxheti duhet të ankorohet fort dhe të ulë borxhin në raport me PBB-në, të rrisë besueshmërinë dhe transparencën. "Kjo çështje bëhet edhe më urgjente në një kohë kur Shqipëria do të fillojë të marrë hua në tregjet ndërkombëtare të kapitalit. Ne i inkurajojmë autoritetet të miratojnë një rregull formal fiskal - qoftë i bazuar në shpenzimet, qoftë në deficit - më e mira do ishte duke filluar që nga buxheti i 2009-ës", kanë thënë drejtuesit e misionit të FMN-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›