E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falimentimi kalon pa votat e opozitës

Kuvendi miraton me shumicë jo bindëse ligjet ekonomike "Për falimentimin" dhe "Procedurat tatimore". 

BLEDAR HOTI

Gjatë seancës së mbrëmshme parlamentare, maxhoranca nuk mori në konsideratë kërkesën e opozitës për ta shtyrë votimin në seancë dhe për ta ridiskutuar në komisione parlamentare. Ligji "Për falimentimin" u votua në seancë me 63 vota pro dhe 17 kundër. Ndërsa ligji "Për procedurat tatimore" u votua në Kuvend me 64 vota pro dhe 18 kundër. Ndërsa abstenuan 3 deputetë gjithsej. Ministri Ruli kontestoi qëndrimet e opozitës për ligjin "Për falimentimin", duke deklaruar se "duhet të marrë fund biznesi me borxhe të mëdha, pasi shpërthimi i tyre mund të ketë kosto të madhe për shtetin". Sipas Rulit, zinxhiri i borxheve të kompanive është rritur shumë dhe duhet të ketë një ndërhyrje nga ana e shtetit. "Nuk duhet të lejmë më që shkurret t'i marrin frymën bimëve, bizneset e forta duhet të lulëzojnë dhe jo ato që marrin borxhe pa fund", theksoi Ruli. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, kërkoi që falimentimin të mos e shpallë Drejtoria e Tatimeve apo Ministria e Financave, por duhet të shpallet me vendim gjykate, por një kërkesë e tillë nuk u pranua.
Sali Berisha
Kryeministri Berisha kërkoi gjatë paradites së djeshme në mbledhjen e grupit të PD-së, miratimin e ligjit "Për falimentimin" dhe atij të "Procedurave tatimore". Duke iu referuar ligjit "Për falimentimin", Berisha tha se nuk ka arsye për ta parë këtë proces si të frikshëm, por duhet konsideruar si një pasojë e dobishme e lirisë së tregut dhe konkurrencës së lirë. "Ata që paraqesin falimentimin si gogol, tregojnë mendësitë e tyre socialiste, sepse falimentimi është një ligj i pandryshueshëm i sistemit që ndërtojmë, është një pasojë e dobishme e lirisë së tregut, e konkurrencës së lirë, është një kusht pa të cilin nuk mund të bësh fjalë për konkurrencë të ndershme dhe të lirë". Fatmirësisht që e kishim në proces e sipër ligjin, në një mënyrë të tillë ne bëjmë një hap të madh ligjor përpara në drejtim të klimës së biznesit.
Edi Rama
Kryetari i PS, Edi Rama, u shpreh kategorikisht kundër projektligjit për procedurat tatimore. Kryesocialisti shprehu shqetësimin dhe refuzimin për projektligjin "Për procedurat tatimore", të cilin "qeveria kërkon ta vulosë sot në Parlament pas një procesi tërësisht jodemokratik". "Unë i kërkoj Kryeministrit të Shqipërisë që në radhë të parë të mos shkelë detyrimin ligjor të transparencës e të konsultimit me këtë komunitet", tha ai. Rama vuri në dukje më tej se, "është e papranueshme që procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë të mos diskutohen gjerësisht, në radhë të parë, me sipërmarrësit shqiptarë, të cilët janë përjashtuar tërësisht nga konsultimi i këtij projektligji, i cili krijon një barrë të re mbytëse për ta dhe një tjetër arsye për përkeqësimin e klimës së rënduar të biznesit në Shqipëri". "Është i papranueshëm pushteti i pakufizuar dhe i pakontrolluar që marrin organet tatimore me këtë projektligj", tha Rama.

kontestimet e opozites

    Opozita kërkon që dy ligjet të rishikohen pasi janë ndryshuar pjesa më e madhe e tyre në komisione, në krahasim me variantin e qeverisë

    Opozita gjithashtu konteston dy ligjet, pasi ato nuk janë diskutuar më parë me grupet e interesit.

    Ligji për "Proceduat Tatimore" është i papranueshëm, pushteti i pakufizuar dhe i pakontrolluar që marrin organet tatimore.

    Kjo liri veprimi i organeve tatimore do të rrisë abuzivizmin në ushtrimin e detyrës.

    Kërkohet që falimentimin të mos e shpallë shteti, por të realizohet me vendim gjykate.

Olldashi: Për 1 vit celularët 40% më lirë
Ministri i Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, ka bërë të ditur dje në Parlament se ERT-ja ka përgatitur në një kohë rekord metodologjinë për tarifat e reja të celularave. Olldashi theksoi se çmimet e reja do të ulen në masën 40% për abonentët e telefonisë mobile, por kjo do të realizohet brenda 12 muajve. Sipas tij, metodologjia do debatohet me grupet e interesit. Kjo deklaratë u bë gjatë diskutimit të ligjit për "Për komunikimet elektronike".

Ish-ambasadori Foresti takon Topallin
Ish-ambasadori italian, Paolo Foresti rikthehet në Tiranë, duke zhvilluar takime me personalitete të rëndësishme të jetës politike të vendit. Foresti zhvilloi dje një takim me kryeparlamentaren Topalli. "Jam i mahnitur nga ndryshimet e mëdha që shoh në Shqipëri dhe jam shumë i kënaqur kur shoh se Shqipëria po ecën me një ritëm unik", u shpreh Foresti. Ndërsa Topalli tha se shpreson që homologu i saj Fini të vizitojë Tiranën.

Ministri Gjana jep garanci për vajin
Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, ka replikuar me deputetin e PS-së, Flamur Hoxha, në lidhje me vajin e dyshimtë që mund të ketë hyrë në vendin tonë. Ai hodhi poshtë në mënyrë kategorike poshtë mundësinë se vaji i hyrë nga territori grek në atë shqiptar është i dyshimtë. Ai theksoi se, "çdo mall ka hyrë me certifikatë garancie". "Ne kemi çuar 12 kampione për analiza në Itali dhe presim përgjigjet këto ditë", tha Gjana.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›