E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koçi: Prokuroria të kërkojë imunitetin e Berishës

Deputeti socialist Petro Koçi tha dje, se Prokuroria e Përgjithshme të kërkojë imunitetin e Berishës për tragjedinë e Gërdecit. 

"Do jetë në dinjitetin dhe lartësinë e detyrës së Prokurorisë së Përgjithshme që të ketë kurajën të kërkojë edhe imunitetin e deputetit Berisha, i cili mban përgjegjësi ligjore dhe morale jo vetëm si kryeministër në menaxhimin e Forcave të Armatosura në kohë paqeje, por edhe si shtetas për shkak të përfshirjes në aferën e trafikut të municioneve së të afërmve të tij", tha Koçi. Deputeti socialist tha se, imuniteti i ish- ministrit të Mbrojtjes do të hiqet. "Besoj se pavarësisht manovrave zvarritëse, çështja e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes do të zgjidhet shpejt dhe konform vendimit të Këshillit të Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve, sipas të cilit çdo kërkesë për heqje imuniteti në rastet e hetimit për korrupsion dhe shpërdorim detyre do të aprovohet pa mëdyshje", tha Koçi. Por ai shprehu shqetësim për tendencën e bashkëpunimit bipartizan mes PD dhe PS që kërkon të përjashtojë politikën nga përgjegjësia ndaj tragjedisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›