E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja “Sollaku”, Kushtetuesja: Shkarkimi i drejtë

Gjykata Kushtetuese shpalli dje, në mënyrë të shkurtuar "fatin" e ish-prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku. 

 Sipas një njoftimi të Gjykatës, por jo arsyetimit të plotë të vendimeve, Sollaku ka fituar në këtë gjykatë betejën me Kuvendin, por ka humbur atë për kushtetutshmërinë e shkarkimit të tij. Gjykata Kushtetuese arsyeton se, Kuvendi ka tejkaluar kompetencat e tij në lidhje me gjykimin e veprimtarisë dhe aktivitetit të Prokurorisë. "Në lidhje me kërkesën e zotit Theodhori Sollaku, paraqitur prej tij, në kohën që kryente detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, me objekt: "Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë", Gjykata Kushtetuese vendosi: "Të zgjidhë mosmarrëveshjen e kompetencës të lindur midis organeve shtetërore, subjekt në këtë mosmarrëveshje dhe të deklarojë, se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka kompetencë të kontrollojë dhe të vlerësojë vendimet e prokurorëve në çështjet konkrete për mosfillimin e procedimit penal, për pezullimin e hetimeve, për pushimin e çështjeve penale, për marrjen e masave të sigurimit, si dhe të vendimeve e veprimeve të tjera të prokurorëve që lidhen me ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq", thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese. Por, ndërsa për këtë kërkesë Sollakut i është dhënë e drejtë, në lidhje me shkeljen e procedurave të shkarkimit të tij nga ana e Kuvendit dhe Presidentit të Republikës, Gjykata vlerëson se këto procedura nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës. Sipas Sollakut, "komisioni i ka dërguar vetëm një ftesë për t'u paraqitur para anëtarëve të tij, por pa e njohur atë me akuzat dhe materialet mbi të cilat mbështeteshin akuzat e ngritura ndaj tij".       a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›