E Diel, 1 Nëntor 2026

Deficiti kombëtar i llogarisë korente në 6 muaj na varfëron 1,2 miliardë dollarë



Ervin Koçi

Ekonomia e brishtë e vendit tonë vazhdon të tregojë shenja paqëndrueshmërie dhe dobësimi në të gjithë komponentët e saj. Si të mos mjaftonte borxhi i jashtëm, edhe llogaria korente e Shqipërisë është prekur nga një deficit i madh që është thelluar dhe ka shkuar në 11,7 për qind të prodhimit kombëtar bruto gjatë pjesës së parë të këtij viti. Shkaqet për thellimin e deficitit të llogarisë korente kanë ardhur më së shumti për shkak të thellimit të deficitit tregtar, si pasojë e nivelit tepër të lartë të importeve dhe eksporteve tepër të ulëta që së bashku me prodhimin vendas zënë një peshë mjaft të vogël në rendimentin e ekonomisë shqiptare. Importet në nivel tepër të lartë (blerja nga tregu i huaj i pothuajse çdo lloj artikulli konsumi dhe lëndësh të para), është dhe faktori kyç që bënë diferencën e madhe në këtë bilanc negativ ekonomik. Kjo llogari pra dhe gjatë pjesë së parë të këtij viti është thelluar, thotë Banka e Shqipërisë në raportin e saj, duke përllogaritur se ai ka shkuar në rreth 1,2 miliardë dollarë. Të dhënat e BSH-së thonë se, pavarësisht këtij treguesi të rënduar ekonomik, treguesit e tjerë kanë qenë të mirë.

Arsyet e tjera

Veç deficitit tregtar, në llogarinë korente kanë ndikuar edhe daljet e mëdha të parasë jashtë vendit, sidomos gjatë sezonit turistik por që do t’i takojë pjesës së dytë të vitit. Por arsye të tjera që ndikojnë drejt për drejtë janë edhe rënia e fuqisë blerëse, si dhe e fitimit nga ana e biznesit. Në përbërësit e llogarisë korente duket se ka mbetur i paprekur vetëm ai i pagave, pasi në pjesën e parë të vitit nuk ka pasur raportime për ulje të pagave, pavarësisht rritjes së kostos së jetesës dhe rënies së fuqisë blerëse. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë tha pak kohë më parë se megjithatë aktiviteti i buxhetit gjatë 5 muajve të parë të vitit kishte balancë pozitive, e cila ka ardhur si rezultat i grumbullimit të të ardhurave fiskale më shumë se sa ishin planifikuar dhe realizimit më të ulët të shpenzimeve. Pavarësisht këtij zhvillimi të mirë, Banka Qendrore tha se, negative ka qenë gjendja e realizmit të investimeve në vend si nga shteti ashtu dhe nga privatët.

Frika e FMN-së

Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka cilësuar “të mbushur me rreziqe” ekonominë e vendit tonë, për shkak të disa problemeve makroekonomike, siç janë deficiti i brendshëm buxhetor, stoku i borxhit dhe gjendja financiare e Korporatës Elektroenergjetike, KESH. Gjithashtu, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka thënë se, “huamarrja për investimet në infrastrukturë është një rrezik tjetër i pranishëm”. Ajo që i trembet më shumë Fondi Monetar Ndërkombëtar është rënia e potencialit të taksapaguesit, të biznesit dhe në tërësi e tërë ekonomisë së vendit. Kjo do ta përkeqësonte shumë deficitin e brendshëm të buxhetit dhe në gjendjen kur llogaria korente është e disbalancuar, atëherë do të kishte probleme të mëdha me çmimet dhe ekonominë.

Çfarë është llogaria korente

Deficiti i llogarisë korente ose “Llogaria Korente” është një prej treguesve makro-ekonomik më të rëndësishëm ekonomikë të një vendi. Ai tregon kahjen se nga ecën ekonomia e vendit dhe forma se si është e orientuar ajo. Llogaria korente është e përbërë nga deficiti tregtar, të ardhurat nga emigrantët, pagat, interesat apo kapitali dhe fitimi i ndërmarrjeve, si dhe i analizon ato në të gjithë komponentët ekonomik. Në llogarinë korente përfshihet gjithashtu edhe totali i transfertave të parave dhe të kapitaleve që kryen, diferenca e tyre etj. Kjo llogari shërben edhe si një tregues për të vlerësuar progresin apo dhe rënien e ekonomisë së një vendi, në raportet import-eksport, prodhim-konsum, të ardhura dhe shpenzime.

26 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›