Shqipëria dhe Kroacia bashkëpunojnë në luftën kundër krimit të organizuar
TIRANË - Policia shqiptare dhe ajo kroate do të forcojnë marrëdhëniet e bashkëpunimit mes tyre në luftën kundër krimit. Ishte ky mesazhi që përcollën drejtuesit më të lartë të Policive respektive gjatë një takimi që patën ditët e fundit në Kroaci.
Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, bënë të ditur të hënën se, delegacioni i Policisë Shqiptare, i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi, nga data 18 -21 Gusht zhvilloi një vizitë zyrtare në Kroaci, me ftesë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Kroate, Marjan Benko. Delegacioni i lartë i Policisë së Shtetit, fillimisht zhvilloi një takim me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Brendshme Kroate, z. Ivica Buconjiç, ku u vlerësua niveli mjaft i mirë i bashkëpunimit ndërmjet policive të të dyja vendeve.
Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Brendshme Kroate theksoi se drejtuesit e Policisë Kroate i kanë të gjitha hapësirat për t'i ofruar Policisë shqiptare të gjithë asistencën e mundur të kërkuar. Buconjiç vlerësoi nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit dhe kërkoi një intensifikim të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve në kuadër dhe të integrimit në BE.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Prençi, bëri një ekspoze të reformave ligjore dhe strukturore të ndërmarra në Policinë e Shtetit si dhe rezultatet ne luftën kundër krimit, duke theksuar se Policia shqiptare është e interesuar të bashkëpunojë me Policinë kroate në të gjitha eksperiencat më të mira, me qëllim arritjen e standardeve të kërkuara.
Z. Prençi shprehu gatishmërinë e Policisë së Shtetit për bashkëpunim në luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe veçanërisht kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe të narkotikëve. Specialistët e Seksionit Kundër Narkotikëve pranë Policisë së Tiranës po ndjekin me përgjegjësi duke marrë të gjitha masat dhe detyrat me synim parandalimin e veprimtarisë kriminale në fushën e shitjes dhe prodhimit të drogës, si dhe kapjen e vënien para organeve të drejtësisë të shkelësve të ligjit.
26 Gusht 2008