Deficiti nga mbledhja e të ardhurave, në 9 muaj 40 milionë USD
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se për 9 muajt e parë të vitit deficiti i krijuar në buxhet nga mbledhja e të ardhurave ka arritur në 4 miliardë lekë ose rreth 40 milionë dollarë. Qeveria kishte parashikuar që për 9 muajt e parë të mblidhte rreth 213 miliardë lekë, ndërkohë që ka mundur të mbledhë për këtë periudhë 209 miliardë. Nga të ardhurat tatimore, treguesi me mosrealizimin më të madh është ai i akcizës, që vilet nga zhdoganimi i mallrave të ndjeshëm, të cilët konsiderohen edhe si ato me rrezikun më të lartë për t’u kontrabanduar. Të ardhurat e grumbulluara nga akciza për këta 9 muaj janë rreth 15 milionë dollarë më të ulëta se plani. Sipas të dhënave, nga 11 taksa, duke përfshirë ato të pushtetit lokal dhe kontributet, është arritur plani vetëm në 2 prej tyre, që janë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe Tatimi mbi Pagën. Ndërsa 9 taksat e tjera janë me mosrealizime. Por të dhënat tregojnë se shmangie nga plani kanë disa tregues në kahun e shpenzimeve. Zëri më problematik mbetet ai i investimeve publike, të cilat për 9-mujorin janë realizuar në masën 83 për qind, me një diferencë mosrealizimi prej rreth 100 milionë dollarë. Por ndonëse si 9-mujor investimet publike janë realizuar në masën 83 për qind, krahasuar me planin vjetor, realizimi është vetëm 48.2 për qind i investimeve të parashikuara për vitin 2008. E thënë ndryshe, në 9 muaj qeveria ka investuar 45.5 miliardë lekë në punët publike, ndërkohë që në tre muajt e mbetur të vitit i duhet të realizojë edhe rreth 49 milardë lekë të tjera. Ky përqëndrim i shpenzimeve në fund të vitit ka qenë një shqetësim konstant i Bankës së Shqipërisë, e cila druhet se flukset e larta të parasë në treg mund të nxisin inflacionin.
Agjencia e pagesave për fermerët, më 1 janar 2009 nis nga funksionimi
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), ose agjencia e pagesave, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, do të fillojë të funksionojë më 1 janar 2009. Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme kriteret e funksionimit dhe organizimit të AZHBR, si strukturë qendrore dhe vendore, në shkallë qarku. Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, AZHBR-ja është përgjegjëse për administrimin e fondeve të buxhetit të shtetit, për mbështetje të drejtpërdrejtë të prodhimit bujqësor, për zhvillimin e infrastrukturës së tregjeve bujqësore dhe fondeve kundërparti, të projektit 2KR.. Drejtori i AZHBR-së emërohet, lirohet ose shkarkohet nga Kryeministri, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Drejtuesit dhe punonjësit e tjerë të kësaj agjencie, përfshirë edhe ata të strukturave vendore, pranohen sipas procedurave të përcaktuara në legjislacionin për shërbimin civil. Numri i punonjësve të agjencisë është 86 veta.
2 Nentor 2008