E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksa për qarkullimin, sa duhet paguar kur mban makinën me targa të huaja



Ervin Koçi

Qeveria do të taksojë me një detyrim financiar të veçantë të gjitha ato automjete që qarkullojnë brenda territorit të vendit tonë me targat e vendeve nga kanë ardhur. Kjo taksë “speciale” do të prekë edhe të gjitha ato automjete që shtetasit shqiptarë i mbajnë në përdorim me targa të huaja, duke u mjaftuar vetëm me një prokurë (akt përdorimi) të lëshuar nga pronari i ligjshëm i mjetit, duke mos paguar kështu detyrimet doganore të makinës dhe taksën për targat shqiptare. Udhëzimi i posaçëm për këtë kategori të madhe mjetesh, që tashmë qarkullon lirshëm brenda vendit tonë, por që krijon vështirësi dhe probleme sidomos për policinë në raste incidentesh rrugore apo veprash kriminale, është hartuar dhe vënë në zbatim nga Ministria e Financave. Kjo e fundit e ka bashkëngjitur këtë taksë në udhëzimin për tarifën e re të shërbimit për makinat e huaja, që ka hyrë në fuqi, në projektin që u miratua në fund të muajit gusht për “taksat kombëtare”. Sipas këtij projekti, “makinat e huaja që qarkullojnë në vendin tonë do të paguajnë vetëm 1 euro në çastin e daljes nga toka shqiptare. Kjo nëse kanë qarkulluar për dy muaj në Shqipëri. Në rastin kur ato kalojnë këtë afat kohëqëndrimi, taksa është 1- 2 euro në ditë, sipas makinës”.

Tarifat sipas automjeteve

Vjelja e këtij detyrimi fiskal për automjetet me targa të huaja ose “taksa për targën”, që qarkullojnë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, do të bëhet nga degët e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në rrethe. Por autoveturat e huaja përjashtohen nga pagesa e tarifës së qarkullimit me targat e tyre (të vendit nga kanë ardhur) vetëm për 60 ditë qëndrimi në vit, në territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe paguajnë vetëm 1 euro në çastin e daljes. Pas kalimit të këtij afati (qëndrimit të mëtejshëm në Shqipëri), për autoveturat me më pak se 8 vende, për çdo ditë ose pjesë të ditës paguhet 1 euro, ndërsa për ato me më shumë se 8 vende paguhet 2 euro për ditë qëndrimi. Udhëzimi ka përcaktuar edhe vërtetimin e hyrjes dhe formularin me të cilin duhet të pajiset çdo shtetas që hyn me makinën e tij në tokën shqiptare. Vërtetimi mbahet në dy kopje, nga të cilat njëra i jepet personit që hyn në territorin e Republikës së Shqipërisë, me automjet me targë të huaj, ndërsa kopja tjetër ruhet në degët e doganave. Ky vërtetim është i detyrueshëm të paraqitet në degën e doganës në pikën e kalimit kufitar në dalje, me qëllim që degët e doganave të llogarisin dhe arkëtojnë tarifën e qarkullimit të automjetit me targë të huaj dhe të arkëtojnë taksën për ditët e qëndrimit në territorin shqiptar. Kjo pagesë bëhet me mandatarkëtimi, një kopje e të cilit i jepet personit, ndërsa kopja tjetër i bashkëngjitet vërtetimit që personi paraqet në dalje dhe ruhet në degën e doganës. Të ardhurat e mbledhura nga kjo tarifë derdhen në arkën e shtetit (buxhetin e shtetit).

Kush përjashtohet nga taksa

Tarifën nuk e paguajnë automjetet e huaja që sjellin ndihma humanitare falas, mjetet që qarkullojnë me lejekalimi pa pagesë të taksave rrugore, mbi bazën e reciprocitetit, mjetet e përfaqësive diplomatike e të shoqatave bamirëse dhe automjetet e regjistruara në territorin e Kosovës. Për përfituesit e përjashtimeve nga pagimi i kësaj tarife shërbimi, dega e doganës në hyrje i pajis me një vërtetim në dy kopje, një prej të cilave i jepet zotëruesit të mjetit, ndërsa kopja tjetër ruhet në degën e doganës. Në dalje të mjetit me targë të huaj nga territori i Republikës së Shqipërisë, dega e doganës detyron zotëruesin e mjetit të dorëzojë kopjen e vërtetimit. Për rastet kur masa e tarifës përcaktohet mbi bazë reciprociteti, Ministria e Transportit dërgon zyrtarisht në dogana tarifat ose taksat që aplikohen nga shtetet e tjera për automjetet shqiptare për të njëjtin lloj shërbimi. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave publikon dhe azhornon këto tarifa në faqen e saj zyrtare në internet.

Si veprohet kur shitet makina

Për rastet kur automjeti me targë të huaj, me akt noterial, kalon në pronësi (u shitet ose u falet) personave të tjerë, të cilët më pas do ta pajisin me targë shqiptare sipas legjislacionit në fuqi, pronari i paraqet degës së doganës në momentin e zhdoganimit të automjetit vërtetimin e hyrjes që i është dhënë personit në pikën e kontrollit të kalimit kufitar në hyrje, me qëllim që të llogaritet edhe taksa e qarkullimit të automjetit për ditët e qëndrimit në Shqipëri. “Drejtoritë rajonale të Transportit Rrugor nuk bëjnë pajisjen me targa shqiptare, si dhe regjistrimin e mjetit pa u paguar detyrimet doganore në import dhe tarifa e shërbimit për qarkullimin e automjeteve të huaja”, - theksohet në udhëzim. Shumat e tarifave të arkëtuara në degët e doganave regjistrohen në një regjistër të veçantë, ku shënohet lloji i mjetit, ditët e qëndrimit, si dhe shuma e tarifës së paguar.

2 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›