Vocaj: Kemi kryer të gjitha veprimet konform ligjit
Menjëherë pas informacioneve të marra nga Prokuroria në lidhje me biznesmenin Rezart Taçi ka ardhur edhe reagimi i policisë. Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Tonin Vocaj, ka deklaruar për gazetën "Shqip" se policia ka kryer gjithë veprimet konform ligjit dhe dokumentacioni përkatës është dërguar në prokurori. Më tej, ai është shprehur se policia po vijon hetimet për rastin e goditjes për shkak të detyrës të gazetarit Mero Baze. "Që në fillim, kur jemi njoftuar për ngjarjen, kemi kryer të gjitha hetimet konform ligjit dhe sipas urdhrave të prokurorit dhe materialet përkatëse i janë referuar prokurorisë. Gjithashtu, ne vazhdojmë punën për dokumentimin e plotë të këtij rasti", u shpreh drejtues i parë, Tonin Vocaj. Dy ditë më parë, Policia e Tiranës ka arrestuar dy shoqëruesit e Rezart Taçit, ndërkohë që ka shpallur në kërkim biznesmenin. Policia tha se kreu arrestimin në flagrancë të shtetasve Bledar Bardhyl Lilo, 28 vjeç, lindur në Ersekë dhe banues Tiranë, me detyrë punonjës i kompanisë "Taçi Oil" dhe Irgen Arjan Selfo, 23 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
B.G.
B.G.