E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Prokuroria të bëjë publike ecurinë e hetimeve

Partia Socialiste i kërkoi dje prokurorisë të bëjë publike ecurinë e hetimeve për tenderin e blerjes së ARMO-s. Deputeti i kësaj partie, Erion Braçe, e vlerësoi blerjen si një operacion korruptiv që shkel rëndë ligjin dhe konkurrencën. Braçe akuzoi organet e drejtësisë se nuk kanë vepruar për të zbardhur këtë operacion korruptiv dhe ndëshkuar zyrtarët e përfshirë në të,
"Parlamenti u detyrua me dhunë të votonte për të ratifikuar një kontratë që materializonte një proces nën hetim, në shenjë presioni ndaj hetuesve. Për një vit, askush nuk dëgjoi më për këtë hetim edhe pse shumë fakte të rënda dolën në dritë. Sot, ne duam të dimë: Ǒka ndodhur me këtë hetim? Sot, ne duam të dimë deri ku kanë shkuar hetimet, a kanë përfshirë ato gjithë operacionin, nga procedurat e garës, shpallja e fituesit, negocimi i kontratës, kontrata, pagesa, transferimi i pronës, gjithnjë në raport me ligjin për privatizimin e ARMOS dhe ligjet e tjera në fuqi, duke nisur nga ai "Për Buxhetin e Shtetit"", tha Braçe. Ai vuri në dukje se opozita dëshiron të dijë a është hetuar mbi identitetin juridik të kompanive të lidhura në konsorciumin përfitues, palë kontraktuale me qeverinë e familjes, por edhe ortak me qeverinë shqiptare që vazhdon të ketë 15% të aksioneve në këtë kompani. Braçe vuri në dukje se privatizimi i ARMO-s vazhdon të mbetet operacioni më i madh i transferimit të pronës publike, në këtë rast të një sektori strategjik, në duart e një grupi njerëzish të paidentifikuar ose të identifikuar më herët, si njerëz me probleme të mëdha me ligjin në Shqipëri. Ai vlerësoi se privatizimi i ARMO-s është operacioni më i madh, i dyshuar dhe denoncuar si korruptiv, në një proces shtetëror që përfshin disa institucione shtetërore, veprimtarinë e tyre që duhet të ishte transparente - nga Ministria e Ekonomisë, Financave deri te Banka e Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›