Gërdeci bllokohet përsëri nga Fatmira Hajdari
Gjykata e Tiranës ka shtyrë sërish seancën e radhës për 29 të pandehurit e akuzuar për tragjedinë e Gërdecit. Shkak është bërë mosformimi i trupit gjykues për mungesë të gjyqtares Fatmira Hajdari, që është një prej anëtarëve, e cila ishte bërë shkak edhe në seancën e kaluar për shtyrjen e gjyqit. Kryetari i trupës gjykuese, Ridvan Hado, ka verifikuar palët në sallë të gjyqit. Në fillim të seancës gjyqësore u ka kërkuar palëve që situata ishte e njëjtë me seancën e kaluar, pasi një nga anëtarët e trupit gjykues, pikërisht Fatmira Hajdari, nuk ndodhej e pranishme. Ka lexuar me radhë të gjithë të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre ligjorë. Fillimisht ka verifikuar prokurorët, ku vihej re mungesa e përfaqësuesit të akuzës, Genci Qana. Kryegjyqtari i Gërdecit i është drejtuar personit të vetëm që ndodhej pas kafazit të hekurt, Sokol Gjeçit, ndërsa të gjithë avokatët e tjerë ishin në sallë. Ndërsa në fund, ka lexuar edhe një letër të sjellë sërish në gjykatë nga anëtarja e trupës gjykuese, Hajdari. Sipas Hados, kolegia e tij e kishte njoftuar gjykatën se ishte për punë familjare jashtë shtetit dhe në këtë mënyrë nuk mund të merrte pjesë sërish në këtë seancë gjyqësore. Të ndodhur në këto kushte, dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues, Ridvan Hado dhe Shefkie Demiraj, e shtynë seancën gjyqësore në datën 12 nëntor në orën 10:00. "Për shkak se gjykata nuk mund të zëvendësojë gjyqtaren që mungon, pasi gjyqi do të shtyhej për t‘u njohur gjyqtari tjetër me çështjen, jemi të detyruar të shtyjmë seancën në datën 12. Palët morën dijeni", kështu e mbylli seancën gjyqësore Ridvan Hado, ndërsa një grup avokatësh kanë reaguar ashpër për shtyrjen e gjyqit. Ata kërcënuan me mosmarrje pjesë në seancën e datës 12 nëntor, pasi kanë gjyqe të tjera. Nën zë deklaruan se gjyqi i Gërdecit zhvillohet çdo të mërkurë, ndërsa seanca e radhës, për shkak të problemeve të mosformimit të trupit gjykues, është shtyrë ditën e enjte. Dy seanca më parë, prokuroria lexoi kërkesën për gjykim, një dosje voluminoze kjo, me mbi 140 faqe, ndaj 29 të pandehurve që gjykohen në këtë gjykatë. Gjithashtu, në aty seancë prokuroria rrëzoi ish-drejtuesin e MEICO-s, Ylli Pinarin, sipas së cilit shpërthimi ishte një sabotim. Në kërkesën për gjykim shkruhej qartë se shpërthimi ishte aksidental dhe i shkaktuar si pasojë e kontaktit të shkëndijës krijuar nga saldimi i karrocës me barutin. Ndërkohë, prokuroria kërkoi thirrjen në vazhdim të seancave të mbi 390 dëshmitarëve që do hedhin dritë për tragjedinë e rëndë. Trupi gjykues hodhi poshtë gjithashtu 14 kërkesa të avokatëve mbrojtës, ndër to edhe kërkesën e ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari, për zhvillimin e gjyqit me dyer të mbyllura.
S.Ç.
S.Ç.