E Shtunë, 31 Tetor 2026

Definitive, Ramazzotti nuk vjen në Prishtinë për koncert

Prishtinë, 3 gusht - Përfundimisht, pas peripecive të shumta, Eros Ramazzotti nuk do të vijë në Prishtinë dhe nuk do ta mbajë koncertin e shtyrë për 9 gusht, ka njoftuar sot organizatori UBBOSS.

“Me keqardhje ju njoftojmë se përkundër përpjekjeve tona për të rikthyer
koncertin e Eros Ramazzottit në Prishtinë më 9 gusht, sot kemi pranuar një informatë nga menaxhmenti i artistit se e kanë shumë të vështirë të gjejnë një produksion të përshtatshëm teknikisht dhe financiarisht për datën e re të koncertit. Produksioni i kontraktuar për datën 30 korrik, i cili nuk u lejua të futet në stadium, e ka të pamundur të vijë më 9 gusht”, thuhet në njoftimin e arritur te organizatori.

Në këtë informatë sqarohet se menaxhmenti i artistit është munduar të gjejë një produksion tjetër, por nuk është arritur të gjendet asnjë produksion që do të mund të realizonte koncertin në datën e re.

“E gjithë kjo përpjekje dhe shtyrje e datës së koncertit përfundon me anulim të koncertit për këtë turne”, thuhet në njoftimin për shtyp të organizatorit.

Sipas UBBOSS, shumica e biletave tashmë të shitura janë duke u kthyer dhe do të vazhdojnë të kthehen në zyrat tona çdo ditë pune, duke filluar nga ora 09:00 deri në
orën 18:00 - deri në biletën e fundit.

Në fund organizatori u kërkon falje gjithë adhurueseve të Ramazzottit si dhe mediave partnere që kanë ndihmuar në promovimin e koncertit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›