E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedhësi i druve godet me traktor dy policë

Prishtinë, 1 gusht – Dy policë të Kosovës janë goditur me traktor nga i dyshuari Afrim Rexhepi, derisa ai po tentonte t'i ikte pikës së kontrollit policor, i vendosur në udhëkryqin në mes të fshatrave Dobratin dhe Kaçanollë të komunës së Podujevës. Sipas policisë, i dyshuari ishte i afërm i tre të dyshuarve të tjerë, që ishin ndaluar nga policia në pikëkontroll, pasi që me dy traktorë të tjerë po bartnin dru të prerë ilegalisht. Sipas zëdhënësit të policisë, Arbër Beka, njëri nga policët që ishte goditur me gomën e traktorit, është dërguar për trajtim në repartin e emergjencës të Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë, pasi ka pësuar ndrydhje të rënda, ndërsa polici tjetër, i cili ishte goditur me krahun e traktorit, është dërguar për trajtim në qendrën emergjente në Podujevë.
Pas këtij incidenti, që ka përfunduar pa të lënduar të tjerë, dy policët e tjerë  në vendin e ngjarjes kanë arrestuar të dyshuarin.
“Shoferi, Afrim Rexhepi, 1973, është arrestuar në momentin që i ka goditur dy policë, nga dy kolegët e tjerë të tij, të cilët e kanë kapur nga traktori derisa ka qenë duke vozitur, ndërsa traktori ka vazhduar të ecë vetëm edhe për disa metra derisa është ndalur vetë, ndërsa tre të dyshuarit tjerë kanë arritur të ikin duke u futur në mal”, ka thënë zëdhënësi Beka.
Sipas një raporti të policisë, e gjithë ngjarja ka ndodhur të premten rreth orës 22:15 minuta dhe të gjithë të dyshuarit janë të njohur për policinë.
“Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në paraburgim, kurse dyshohet se në rast ishin të implikuar edhe tre persona të tjerë, të cilët kanë ikur nga vendi i ngjarjes”, thuhet në raportin e policisë, në të cilin rasti është kualifikuar si tentim vrasje.
Në anën tjetër, zëdhënësi Beka është shprehur se shpejt pritet arrestimi i tre të dyshuarve të tjerë.
I dyshuari kryesor në këtë rast, i cili kishte goditur policët me traktor, para se të bënte një veprim të tillë, fillimisht i kishte kërcënuar policët se nuk do të guxonin t’ia merrnin drutë, e më pas edhe kishte nisur traktorin vrullshëm, duke rrezikuar jetët e oficerëve policorë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›