E Shtunë, 31 Tetor 2026

Degë të reja në fakultetet e Elbasanit, Shkodrës e Korçës

 

Çelen programe të reja studimi në Universitetin e Elbasanit dhe Korçës dhe atë të Shkodrës. Qeveria vendosi dje që për vitin e ardhshëm akademik këto shkolla të larta të ofrojnë më shumë mundësi për studentët. Kështu në Fakultetin e Muzikës të Korçës dhe Elbasanit do të hapen degët “Pedagogji muzikore” dhe “Fizarmonikë klasike”. Në përfundim të tyre do të lëshohet diplomë e nivelit të parë, DNP. “Po në Elbasan në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dega e re do te jetë  “Teknologjitë e informacionit”, ndërsa në Fakultetin e Shkencave të Edukimit: “Edukim fizik e sporte”. Studentët e Korçës do të mund të ndjekin që nga viti, që vjen degën e re “Teknologji e prodhimit bimor”, në Fakultetin e Bujqësisë. Programet e studimit të ciklit të parë realizohen në 180 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është tri vite akademike. Pos këtij cikli do të lëshohen më shumë diploma të nivelit të dytë. Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Elbasan çelet dega “Mbrojtje mjedisi”, ndërsa në Fakultetin e Shkencave Humane, “Trashëgimi Kulturore”. Studentët e universitetit “Aleksandër Xhuvani” do të mund të ndjekin vitin e ardhshëm edhe mastera të nivelit të parë, në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, në lëndët “Edukatë qytetare dhe gjeografi”. Në Fakultetin e Shkencave Humane, masterat do të ofrohen “Redaktim”. Sa i përket universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, do të nisë  programi i studimit “Studime shqiptare dhe etnokulturore”, me profilet Studime shqiptare; Studime të thelluara në gjuhësi; Etnokultura dhe letërsia shqipe. Diplomat që do lëshohen pas ndjekjes së tyre janë të nivelit të dytë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›