"Ish"-ët kritika Kuzhesë: Nuk e njeh Shqipërinë
Jetmir Halilaj
Kuzhe nuk e njeh mirë skuadrën dhe duhet të tregohet më i matur në deklaratat e tij kur thotë se Shqipëria mund të shpresojë për t'u kualifikuar. Përveç kësaj, zgjedhjet e tij kanë lënë për të dëshiruar. Këtë e thonë dy nga ish-trajnerët e Kombëtares shqiptare, Astrit Hafizi dhe Sulejman Demollari.
Hafizi
Tekniku shkodran nuk ka dyshime se Kuzhe e njeh shumë pak skuadrën, madje kundër Portugalisë ai e ka pasur të diktuar formacionin. "Megjithatë, unë mendoj se skuadra bëri një paraqitje të mirë në atë takim, por kjo jo për meritë totale të trajnerit, por edhe për shkak të motivimit të skuadrës. Me paraqitjen që bëri Portugalia, një trajner tjetër do të kishte guxuar ta fitonte ndeshjen, ose të paktën do të kishte luajtur më shumë në sulm, gjë që nuk ndodhi", ka thënë Hafizi për "Panorama Sport". Ai nuk është bindur edhe nga miqësorja me Gjeorgjinë. "U aktivizuan disa lojtarë të rinj, të cilët megjithëse u përpoqën të tregonin gjithë talentin e tyre para trajnerit të ri, nuk besoj se pamë një skuadër të qartë, përkundrazi. Ekipi mu duk i çorientuar dhe aspak i qartë. Kam bindjen se Kuzhe nuk e njeh mirë skuadrën dhe do t'i duhet shumë punë. Shpresoj që ai t'i përvishet mirë punës dhe ta marrë me seriozitet. Ka vërtet shumë për t'i ndrequr kësaj përfaqësueseje. Nuk e di nëse vetë trajneri, apo stafi kanë kuptuar që në dy ndeshje kanë pasur një mbrojtës në stolin e rezervave, vetëm Admir Telin. Kjo është sa qesharake aq edhe për t'u shqetësuar. Kuzhe duhet të tregohet i matur edhe në deklarata, pasi është i ndërgjegjshëm edhe ai vetë se me gjendjen e skuadrës dhe me elementët që ka në dispozicion, ekipi nuk është aq i kompletuar dhe aq solid sa për të shpresuar kualifikimin në Euro 2012. Duhet ta njohë më mirë skuadrën dhe nuk duhet të përsërisë dhe të krijojë një atmosferë të ndezur vetëm me deklarata dhe premtime, ashtu siç bëri paraardhësi i tij Ari Han", ka thënë Hafizi.
Demollari
Ish-mesfushori kuqezi, i cili ka drejtuar edhe përfaqësuesen shqiptare, është dyshues për të ardhmen e përfaqësueses shqiptare. "Personalisht jam për projekte afatgjata dhe të qëndrueshme. Mendoj se kualifikimi në një kompeticion të rëndësishëm nuk bëhet duke ndryshuar trajnerin, por duke investuar në futboll - është shprehur Demollari - Kombëtarja në ndeshjen me Portugalinë u paraqit mirë, por për të dhënë një vlerësim të saktë për Kuzhenë, apo për potencialin e tij është ende herët. Më vjen mirë që u dha mundësinë disa të rinjve kundër Gjeorgjisë, por ka ende shumë punë për të bërë. Në mbrojtje kemi vazhdimisht probleme edhe për mungesë të alternativave. Pastaj është për të ardhur keq që Shqipëria e ka bërë rrugë tashmë që ndëshkohet ose që në minutat e para, ose e pëson në sekondat e fundit. Kjo tregon paqëndrueshmëri dhe është një nga defektet që kombëtarja jonë duhet ta korrigjojë që në fillim. Personalisht kam disa rezerva edhe për zgjedhjet apo për lëvizjet taktike të Kuzhesë, por mendoj se është herët për ta gjykuar. Megjithatë, një gjë është e qartë: me gjendjen që jemi, Kuzhe ka vërtetë shumë punë për të bërë", ka deklaruar Demollari.
Mbrojtja
Mbetet reparti më problematik, pasi mungojnë alternativat. "Pësojmë që në minutat e para ose në sekondat e fundit. Kjo tregon paqëndrueshmëri", tha Demollari. "Është për të ardhur keq që në dy ndeshjet e fundit vetëm Teli ishte në stolin rezervë. Kuzhe duhet të fokusohet shumë te mbrojtja, pasi aty kemi probleme serioze", shtoi Hafizi.
Mesfusha
Konsiderohet si reparti që ka konkurrencën më të ashpër, por Hafizi mendon se mungon një mesfushor tipik fantazisë që bën diferencën. "Në mesfushë ka shumë konkurrencë dhe kjo është një gjë e mirë, por ende nuk kemi gjetur në lojtar lider që t'i krijojë frymëmarrje skuadrës në sulm apo të zgjidhë ndeshjet. E patë sa të paorganizuar ishim ndaj Gjeorgjisë?", tha Hafizi.
Sulmi
Me pak rregullime, mund të përmirësohet ndjeshëm, megjithëse falë skemave të çuditshme të Hanit, golat munguan në shtatë ndeshje. "Ka lojtarë cilësorë të cilët nëse shërbehen mirë dhe u krijohen kushtet, jam i bindur se mund të bëjnë atë që duhet, pra të shënojnë sistematikisht. Megjithatë, edhe aty duhen përforcime, pasi jo të gjithë kandidatët janë cilësorë", u shpreh Hafizi.
Lala: Mezi pres të rikthehem
Ka disa ditë që ndodhet në Tiranë dhe po shijon pushimet, por egoja nuk e lë dhe dëshiron që shumë shpejt të kthehet në fushë me Kombëtaren, ashtu edhe me Hanoverin. Kapiteni i kuqezinjve, Altin Lala, ndoqi nga tribuna VIP ndeshjen miqësore me Gjeorgjinë dhe në golin e Agollit gëzoi si i çmendur me presidentin e FSHF-së, Armand Duka. "Tani po pushoj pak dhe avash-avash do t'i kthehem stërvitjes. Që prej ndeshjes me Hungarinë jam i dëmtuar, prandaj nuk munda të isha i gatshëm për Portugalinë."- u shpreh 33-vjeçari.