"Çmenduria", Ronaldo te Reali për 94 mln euro
Tani ka përfunduar realisht çdo gjë. Pas blerjes së brazilianit Rikardo Kakà, klubi i Realit të Madridit ka zyrtarizuar dje edhe blerjen e Kristiano Ronaldos. Klubi i Florentino Perezit, për shërbimet e yllit portugez do të derdhë në arkat e Mançester Junajtidit shifrën marramendëse të 80 milionë sterlinave, të barazvlefshme me 93.93 milionë euro. Në këtë mënyrë, Kristiano Ronaldo është blerja më e shtrenjtë e historisë së sportit të futbollit. Shifra e shpenzuar nga presidenti Florentino Perez është edhe disa herë më e madhe se ajo e shpenzuar në verën e vitit 2001, pasi transferoi fantazistin francez, Zinedin Zidan, nga Torino në Madrid për vlerën e 78 milionë eurove (165 miliardë lireta italiane në atë periudhë). Sigurisht që një shifër e tillë është mëse reale, por të paktë kanë qenë ata që do të mendonin se numra të tillë stratosferike do të ishin të pamundur të arriheshin të paguheshin. Por Florentino Perez kishte premtuar të ringjallte "galaktikët" dhe sigurisht që tani të gjithë tifozët e Realit të Madridit janë mëse të lumtur që kanë votuar një person, që kërkon t'i rikthejë lavdinë skuadrës me më shumë tituj të fituar në Evropë.
Konfirmimi i klubit anglez
Kjo marrëveshje është konfirmuar me anë të një deklarate për shtyp fillimisht nga klubi i Mançester Junajtid, ku sqaron edhe arsyet e pranimit të ofertës madrilene. "Me kërkesë të vetë lojtarit, Kristiano Ronaldos, që sërish ka theksuar dëshirën e tij për t'u larguar nga klubi ynë, gjithmonë pasi kemi komunikuar edhe me përfaqësuesit e lojtarit, Mançester Junajtid ka autorizuar Realin e Madridit të nisë bisedimet me futbollistin. Kjo marrëveshje do të mbyllet zyrtarisht (pritet vetëm firma e Kristiano Ronaldos, i cili aktualisht ndodhet me pushime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës) brenda datës 30 qershor". Data 30 qershor sigurisht që do të jetë një ditë që do të bëjë historinë e futbollit, pasi në "Santiago Bernabeu" do të prezantohen dy nga lojtarët më të mëdhenj të viteve të fundit, Rikardo Kakà dhe Kristiano Ronaldo, gjithashtu dy nga tre lojtarët më të shtrenjtë të historisë së futbollit, që së bashku, Florentino Perezit i kanë kushtuar çmendurinë e 161.2 milionë eurove.
Konfirmimi i RealiT
Ndonëse me disa minuta vonesë, edhe klubi me më shumë tituj të Spanjë dhe në Evropë ka zyrtarizuar blerjen e futbollistit të famshëm portugez, nëpërmjet një deklarate në uebsajtin zyrtar të klubit. "Reali i Madridit konfirmon të ketë kryer një ofertë për skuadrën e Mançester Junajtidit për blerjen e Kristiano Ronaldos. Ndërkohë që çdo marrëveshje është mbyllur me klubin anglez, tashmë pritet vetëm marrëveshja përfundimtare me futbollistin, e cila do të kryhet në ditët e ardhshme".