Ismail Kadare: Letërsia fiton mbi regjimet autoritare
"Nuk ka liri pa letërsi". Këto janë fjalët që kanë karakterizuar ceremoninë e dorëzimit të diplo-mës "Honoris ca-usa", në Shkencat e Komunikimit Social dhe Institucional, shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, ditën e mërkurë në ambientet e Universitetit të Palermos në Itali.Në praninë e gjithë këshillit të Fakultetit të Shkencave dhe rektorit të Universitetit të Palermos, Roberto Lagalla, por edhe në prani të studentëve dhe lexuesve të apasionuar të veprave të shkrimtarit u zhvillua "riti" i konfirmimit të titullit prestigjioz, që sipas Lagallës "përfaqëson një vlerë të shtuar, që jo vetëm vlerëson letërsinë e madhe, por edhe forcon një raport të rëndësishëm me popullin dhe botën akademike shqiptare". Kadare e ka merituar këtë titull, pasi ka mundur të interpretojë "mjeshtërisht dëshirat dhe aspiratat e popullit shqiptar në çastet më tragjike të historisë, duke përçuar përmes romaneve, vëllimeve poetike dhe eseve kritike të tij vlerat universale që udhëheqin drejt emancipimit shoqërinë njerëzore në kushtet e privimit të lirive themelore". Për shkrimtarin ky titull është një vlerësim, jo vetëm për të, por edhe për gjithë popullin shqiptar, për traditat dhe kulturën e tij. "Gjatë historisë, popullit shqiptar, për 5 shekuj me radhë, për shkak të regjimeve diktatoriale, iu hoq mundësia të shkruante në gjuhën e vet. Një mohim dramatik që provokoi dëme të pariparueshme. Sot marr një doktoraturë që përfaqëson për mua dhe për popullin tim një arritje të madhe në vlerësimin e traditave, gjuhës dhe identitetit të rëndësishëm kulturor të kombit tim. Gjithçka që në shekujt e kaluar ka gëlltitur pjesë të kujtesës historike të tokës sime, shpërbëhet përballë rilindjes letrare dhe bukurisë së një vendi, që kam kërkuar ta tregoj në romanet e mi. Pavarësisht se gjithë regjimet autoritare kanë pasur përplasje konfliktuale me letërsinë, ka qenë kjo e fundit që në fund ka triumfuar", - mësohet të ketë thënë Kadare gjatë ceremonisë së dhënies së diplomës "Honoris Causa". Pas fjalës së rektorit të Universitetit të Palermos, ka qenë dekani i Fakultetit të Formimit, Michele Cometa, ai që ka bërë për të pranishmit, një profil kritik të veprës së Ismail Kadaresë. "Kadare ka ëndërruar ëndrrat e njerëzimit, nga toka shqiptare. Në veprat e tij dëgjohen zërat e perëndive dhe heronjve homerikë, folklorit të tokës së tij dhe kronikave fantastike të kalorësve të pakohë. Çdo roman është një alegori e thellë e historisë shqiptare, për të ardhur në ngjarjet e dekadave të fundit në jetën e një kombi dhe një populli që ëndërron lirinë", - është shprehur ndër të tjera Michele Cometa. Ndërsa për Matteo Mandala, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, i cili është edhe nismëtari për dhënien e këtij titulli, "në veprat e tij, Kadare ka projektuar një imazh realist të vendit të tij, tek i cili ka ditur të vlerësojë trashëgiminë antropologjike e kulturore, në një kontekst gjeo-politik të karakterizuar nga tensione të forta, duke evidentuar vlerat universale, që drejtojnë shoqërinë njerëzore, të privuar nga liritë themelore". Mësohet se Mandala, së bashku me dekanin Cometa, kanë në duar një studim të përbashkët, që vë në dukje vendin që zë dhe kontributin që i ka sjellë arti i Kadaresë letërsisë së shekullit XX.
Ismail Kadare është diplomuar në moshën 23-vjeçare në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Tiranës, në vitin 1958 e prej atëherë karriera e tij letrare ka njohur vetëm ngjitje. Veprat e tij janë përkthyer në 40 gjuhë të botës, është fitues i disa çmimeve të rëndësishme dhe është disa herë kandidat për çmimin "Nobel".