Kriza, bien të ardhurat e emigrantëve
Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më parë, të ardhurat e emigrantëve po vijnë e po ulen gjithnjë e më shumë. Shkak për këtë është kriza globale financiare. Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë “Transfertat korente neto u vlerësuan në rreth 213 milionë euro, nga të cilat rreth 196 milionë euro kanë hyrë në formën e dërgesave të emigrantëve. Këto të fundit shënuan një rënie vjetore prej rreth 8% nga vlera prej 213 milionë eurosh e një viti më parë”. Jo pak herë ekonomistët kanë paralajmëruar se si pasojë e përfshirjes nga kriza globale e shumë vendeve evropiane, emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në këto vende janë të detyruar të sjellin më pak para drejt vendit të tyre të lindjes. Ndërkohë, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bilanci i përgjithshëm i pagesave për tremujorin e parë të vitit 2009 rezultoi me një pakësim mjetesh valutore prej 131 milionë euro. Tremujori i parë i vitit u mbyll me një deficit të llogarisë korente prej 334 milionë eurosh. Në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2008, deficiti korent regjistroi një rritje prej rreth 67 milionë eurosh, nga 267 milionë euro. Deficiti i tregtisë së mallrave u tkurr me 11 milionë euro gjatë tremujorit të parë të vitit 2009 dhe u vlerësua në 516 milionë euro, nga 527 milionë euro në tremujorin e parë të vitit të kaluar. Flukset hyrëse të kapitalit regjistruan vlerën 247 milionë euro, duke financuar rreth 74% të deficitit korent.