Vendimi, biletë me detyrim për udhëtarët
Pajisje e detyrueshme e udhëtarëve me bileta, që do kenë një format tërësisht të ri. Këtë vendosi dje qeveria. Në vendimin “Për prodhimin shpërndarjen dhe pajisjen e udhëtarëve me bileta në transportin rrugor” janë saktësuar rregullat. “Pajisja e udhëtarëve me biletat e transportit është e detyrueshme për të gjitha llojet e shërbimit të transportit, përjashtuar taksitë 4+1 dhe 8+1”, thuhet në vendim. Sipas tij, taksitë do të lëshojnë bileta vetëm në rastet kur nuk janë të pajisura me taksimetër. Në rastet e shërbimeve për të tretë ose në shërbime të specializuara apo organizuara, pasagjerët nuk pajisen me bileta, por agjencia e udhëtimit i lëshon faturën tatimore shoqërisë përfituese të shërbimit. “Në këto raste, drejtuesi i mjetit duhet të ketë gjatë udhëtimit listën e udhëtarëve dhe faturën tatimore, të lëshuar nga agjencia e udhëtimit”, saktëson vendimi. Me anë të tij ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për dizenjimin e formatit të biletave të transportit rrugor të udhëtarëve. “Strukturat përkatëse ushtrojnë kontroll ndaj shoqërive rezidente shqiptare, të licencuara për këto lloj transportesh, për pajisjen me bileta të udhëtarëve”, përcakton vendimi.