E Shtunë, 31 Tetor 2026

Degjenerimi që i bëmë kapitalizmit

Nga Roel Korkuti

Ndoshta jemi brezi ‘fatlum’ që na ra për pjesë të jemi dëshmitarë të prekjes së gradës së fundit të kapitalizmit, degjenerimit. Thjesht jemi ndodhur në vendin e duhur në kohën e duhur. Them brezi fatlum duke dashur të tregoj se është pikërisht ky brez, në këtë epokë e në këtë vend, ai të cilit i ra llotaria për të dëshmuar vite më pas se ç’kohë jetoi dikur një shtet i vogël i Ballkanit, Shqipëria. Jemi pikërisht ne brezi fatlum që do kenë mundësi të studiojnë me vëmendje  teoricienë e kritikë të sistemeve politike, sociale e ekonomike në vitet e ardhshme. Jemi dëshmitarë të një degjenerimi të sistemit kapitalist në përgjithësi, një anarkie në nivel shtetëror e të një zullumi të stërmadh në nivel social. Po flasim për një degjenerim të kapitalizmit dhe jo për kolaps. Në fakt ky i fundit është thuajse i pamundur në sisteme të tilla socio-ekonomike, ku vetëm mbi lëvizjen e parasë mungon kontrolli si shtetëror ashtu edhe nga organizmat e huaj, ku gjithçka mbetet një mjegull e madhe. Jemi dëshmitar të një degjenerimi të tillë pa e ditur si shkuam deri në këtë stad. Sa gjasa kishte një shoqëri e këtillë, e brishtë kapitaliste, të bënte hapa kaq gjigandë dhe të përfundonte pikërisht aty ku qëndronte ndroja më e madhe e kritikëve të kapitalizmit? Asnjë! Po ja që jemi aty ku nuk duhet të ishim.

Në territorin e Republikës së Shqipërisë i vetmi institucion i pranuar dhe i respektuar nga të gjithë është ai i parasë. Askush dhe asgjë tjetër nuk gëzon respekt më të madh se paraja. Të gjithë përulen përballë saj. Ndoshta jo të gjithë i binden por pak-kush e shpërfill. Te gjithë ja kanë frikën dhe të gjithë e respektojnë. Nëpër tavolina kafenesh veshi të zë vetëm muhabete në lidhje me Lekun, Euron, Dollarin, makinat e shtrenjta, ndonjë muhabet shkolle por që patjetër do të përmendet ndonjë profesor që ‘i ngjit’ dora më shumë se ç’duhet apo ndonjë temë në lidhje me rrogën e ndonjërit. Do të të zënë patjetër veshët ndonjë muhabet në lidhje me dikë që ka dhënë një shumë të caktuar parash për të dalë në ndonjë televizion apo për tu bërë pjesë e ndonjë reality apo emisioni televiziv. Diçka në lidhje me ndonjë shumë të majmë parash të paguar ndaj ndonjë doktori, infermieri, roje, polici, drejtori, gjykatësi, avokati, ministri, biznesmeni, sekretari, regjisori e kujtdo që gëzon sadopak pushtet. Ditë si këto, temat më te nxehta janë ato në lidhje me pushimet. Muhabete në lidhje me ndonjë që ka shkuar në ndonjë nga ato vendet e kopertinave vetëm sepse babain, mamanë, xhaxhain, gjyshin të dashurën/dashurin e kanë ‘me lekë’. Fëmijët flasin për paranë. E njohin po aq mirë sa të rriturit. Çdo gjë tashmë konvertohet në vlera monetare, shkolla, qejfi, favori, krijimtaria, talenti, pasioni madje edhe  miqësia e dashuria e shumëçka tjetër. Sadopak të lidhura kanë qenë më parë me paranë, tashmë kanë krijuar një lidhje që nuk njeh limit e cila është bërë ndoshta e pandërgjegjshme. Të gjithë flasin për të gjithë duke mos u vënë fre moralit e duke drejtuar gishtin për nga strategjia e duhur e të bërit ‘milionat’. Morali ka marrë fund në këtë vend ku gishti drejtohet në çdo rast e për çdokënd për të treguar zili e jo për të kritikuar. Ngrihet në piedestal ai që ka ditur të vejë ‘dy pare’ mënjanë e qortohet i ‘ndershmi’ që u tregua budalla. Morali nuk është më asgjë përballë fuqisë së parasë në shoqërinë që po jetojmë sot në vendin tonë. Nuk është më morali ai që vlerësohet por aftësia për ti qëndruar indiferent këtij. Pozicionin në shoqëri, shkollë, punë e familje ta blen paraja e jo më morali.

Mbarë Bota po njeh një krizë të sistemit kapitalist në nivele financiare. Mbarë Bota ka njohur shumë gjëra nga kapitalizmi, shkëlqimin, kolapsin, mbijetesën por asnjëherë degjenerimin.  Ne kemi arritur të ‘shijojmë’ vetëm këtë të fundit. Kemi arritur të çojmë në stacionin e fundit një sistem të tërë që në ‘nisje të trenit’. Jemi katapultuar në një hapësirë mjaft të vogël kohore në stadin më të shëmtuar të shoqërisë kapitaliste, në stadin më të egër, në stadin që nuk njeh asgjë përveç fuqisë së parasë, në stadin që i mirë e i keq, i bukur e i shëmtuar, i madh e i vogël, i pasur e i varfër, i shëndoshë e i sëmurë mbeten skllevër të saj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›