E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët e Veriut u bënë palë me ndërkombëtarët

NEXHMEDIN SPAHIU

Në një intervistë në RTK menjëherë pas aksionit të dështuar të qeverisë së Kosovës në Veri, shpreha dilemën time se aksioni ka dështuar ose nga padija e papërvoja e qeverisë, ose se dështimi ka qenë i qëllimshëm për të arsyetuar një marrëveshje të mëvonshme. Pas marrëveshjes trelaterale, serbët e Veriut – KFOR Prishtinë del se aksioni paskësh dështuar qëllimshëm dhe se njësia speciale e Policisë së Kosovës qenka sakrifikuar qëllimshëm.
Në terren mbetet e njëjta gjendje
Marrëveshja trelaterale në thelb nuk e ndryshon situatën në terren me atë që është që nga dita e nesërme e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në formë ajo ka ndryshuar sepse pas marrëveshjes trelaterale, lëvizja e mallrave serbe pa  mbikëqyrjen e institucioneve financiare të Kosovës është legale. Kufizimi për kamionët mbi 3.5 tonë nuk është ndonjë pengesë nëse nuk është e kufizuar sasia totale brenda një harku kohor. Në vend të një kamioni 35 tonësh, dërgon 10 kamionë 3.5 tonësh dhe është e njëjta sasi.
Moskufizimi për mallrat e Kishës Ortodokse lë po ashtu hapësirë të madhe manipulimi dhe autonominë e serbëve nuk e kufizon vetëm me Veriun, por edhe në komunat me shumicë serbe në Jug të Kosovës. Le që as biznesmenët e përkatësisë etnike shqiptare nuk është se nuk do të përfshihen në transaksione të Kishës serbe dhe malli i Serbisë i padoganuar dhe pa TVSH do të vazhdojë të bëjë konkurrencë jolojale në tregun kosovar.
Qeveria e Kosovës sështë dashur të ndërhyjë në marrëveshjen mes KFOR-it dhe përfaqësuesve të serbëve të Veriut të Kosovës. Njeriu mund të thotë se çfarë ka mundur të bëjë më shumë se kaq qeveria e Kosovës? Se çfarë ka mundur të bëjë më shumë për këtë mund të shkruhen libra të tërë, por më e lehtë është përgjigjja çfarë ka mundur të mos bëjë qeveria e Kosovës. Ajo çfarë mund të mos bënte qeveria e Kosovës është të mos ndërmerrte një aksion të dështuar. Ajo çfarë tjetër ka mundur të mos bëjë ka qenë të mos ndërhyjë në marrëveshjen mes KFOR-it dhe përfaqësuesve të serbëve të Veriut të Kosovës. Të paktën marrëveshja e KFOR-it me përfaqësuesit e serbëve të Veriut të Kosovës të mos legjitimohej e të mos legalizohej nga qeveria e Kosovës, kjo do të ishte një bazë me e fortë për negociatat e mëtejme.
Marrëveshje e dëmshme dhe pa kurrfarë nevoje
Tani, qeveria Kosovës ka bërë marrëveshje me serbet e Veriut përmes një pale të tretë ndërkombëtare  (KFOR-it). Dhe, çështë ironia më e madhe, qeveria e Kosovës merr obligime nga kjo marrëveshje (për Kishën serbe, qarkullimin etj.), por serbët e Veriut nuk marrin obligime ndaj qeverisë së Kosovës. Ata obligohen ndaj KFOR-it që do ti heqin barrikadat për KFOR-in, por nuk garantojnë se nëse do ti shohin andej ROSU-t nuk do të gjuajnë ndaj tyre si ndaj patave të egra.
Qeveria e Kosovës fare nuk nxjerr mend nga veprimet e Beogradit, i cili nuk e legjitimoi planin e Ahtisarit edhe pse i leverdiste që bashkësia ndërkombëtare dhe qeveria e Kosovës ta kryenin procesin e decentralizimit në Jug të Kosovës. Tani Beogradi është në pozicion shumë më komod.
Qeveria e Kosovës do të ishte më mirë të harxhonte energji se si tia hidhte Beogradit, sesa shpenzon gjithë ato energji për tia e shitur mu… për hallvë popullit të vet.
Merita e gjeneralit Erhard Bühler
Është meritë personale e gjeneralit Buhler që me trimërinë, sakrificën e intelektin e tij dhe me maturinë prej burri shteti e tejkaloi deri tani vetëm me një viktimë gjithë këtë katrahurë të krijuar nga aventurat politike e policore të qeverisë së Kosovës dhe atyre kriminale të qeverisë së Serbisë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›