E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedhja e autoveturave, kapet banda e memecëve

Hetuesit bënë shokë në FACEBOOK të dyshuarit, ndërsa komunikonin me ta për vjedhjen veturave

TIRANË- Një skemë krejt e veçantë përdorej nga dy memecë për të vjedhur automjete në disa zona të kryeqytetit, ndërsa për komunikimin e tyre ata përdornin alfabetin e memecëve dhe komunikimin në rrjetin social FACEBOOK. Policia ka arritur të zbulojë katër persona, midis tyre një minoren, nga të cilët dy memecët dhe i mituri janë ndaluar.

Personat dyshohet se kishin dorë në vjedhjen e automjeteve në kryeqytet prej katër muajsh. Romeo Rakipi dhe Flamur Matoshi, 22 vjeçarë me aftësi të kufizuara në komunikim, banues në Elbasani, dyshohen si të përfshirë në këtë veprimtari.

Ata janë arrestuar nga hetimuesit e Komisariatit nr. 3 mbrëmjen e të hënës në pranë stacionit të Trenit në Tiranë, gjatë operacionit të koduar "Heshtja", duke iu referuar aftësisë së tyre të kufizuar në komunikim. Ndërkaq, një person i katërt i grupit me inicialet I.I, 26 vjeç, nga Durrësi, u shpall në kërkim.

Të arrestuarit dyshohet se në katër muaj kanë vjedhur shtatë automjete në zona të ndryshme të kryeqytetit. Burime të Policisë së Tiranës pohuan dje se të arrestuarit janë dënuar më parë për vjedhje dhe janë mbajtur prej një muaj nën vëzhgim nga hetuesit.

Dyshohet se për të kryer vjedhjet të arrestuarit komunikonin me mesazhe elektronike nëpërmjet YAHOO-së dhe FACEBOOK-ut. Sipas burimeve të policisë, dy prej të arrestuarve janë memecë dhe realizimin e vjedhjeve e kryenin duke komunikuar me shenja të veçanta midis tyre, ndërsa dy personat e tjerë që dyshohet se janë bashkëpunëtorë të tyre komunikonin në mënyrë elektronike, ku edhe policia ka arritur të depërtojë në adresat e tyre elektronike.

Por kjo metodë është zbuluar nga strukturat e hetimit të policisë, ku dhe më pas është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi i personave që dyshohet se kryenin vjedhjen e automjeteve që nga muaj shtator i vitit që kaloi. Sipas burimeve të policisë, treshja e arrestuar dyshohet se katër prej vjedhjeve i ka realizuar gjatë vitit 2009.

Më 17 shtator 2009, personat e arrestuar dyshohet se kanë vjedhur automjetin me targa TR 2997 K, në rrugën "Pandi Dardha" në Tiranë dhe më datë 20 nëntor 2009, kanë vjedhur automjetin e markës "Benz 240", ngjyrë gri, në Vorë.

Ndërkohë, gjatë muajt dhjetor të vitit që kaloi, dyshohet se kanë kryer edhe vjedhjen e dy automjeteve të tjera, ku më datë 22 dhjetor kanë vjedhur automjetin me targa TR 8344 C në rrugën "Ramazan Shijaku" dhe natën e Vitit të Ri dyshohet se në bulevardin "Zogu i Parë" kanë vjedhur automjetin me targa TR 5983 J.

Policia po heton nëse personat janë të përfshirë në vjedhje të tjera të automjeteve apo banesave të ndodhura në kryeqytet dhe ndaj personave të prangosur rëndon akuza e vjedhjes e kryer në bashkëpunim.

Të arrestuar

Romeo Rakipi, 22 vjeç
Flamur Matoshi, 22 vjeç
A.I, 16 vjeç
Në kërkim
I. I, 26 vjeç

Vjedhjet e dyshuara
17 shtator 2009, në rrugën "Pandi Dardha" në Tiranë kanë vjedhur automjetin me targa TR 2997 K
20 Nëntor 2009, në Vorë, kanë vjedhur automjetin "Benz 240", ngjyrë gri
22 dhjetor 2009, në rrugën "Ramazan Shijaku" në Tirane, kanë vjedhur automjetin me targa TR 8344 C
31 dhjetor 2009, në afërsi të Bulevardit "Zogu i Parë", kanë vjedhur automjetin me targa TR 5983 J
1 janar 2010, në Unazë të Re, kanë vjedhur automjetin me targa TR 0473 B
15 janar 2010, në rrugën e Barrikadave në Tiranë, kanë vjedhur automjetin me targa TR 6267 E
6 janar 2010, në rrugën "Pandi Dardha" në Tiranë kanë vjedhur automjetin me targa TR 4691 R

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›