Dehet rojtari i pyjeve, gjuan rosa me armën e punës
Gjuan me pistoletë në mes të pyllit, nën efektin e alkoolit dhe vihet nën hetim nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lushnjë. Agron Mullai, specialist i parkut kombëtar, ka qenë i vetëm në mes të pyllit të Divjakës dhe pasi ka konsumuar sasi të madhe alkooli, ka shtënë në drejtim të pemëve. Burimet policore tregojnë se Mullai ka shtënë ndaj disa rosave të egra, por zhurma e lëshuar prej të shtënës me pistoletë TT ka alarmuar një grup turistësh që ishin aty pranë. Ata kanë hipur menjëherë në automjetet e tyre dhe janë larguar me shpejtësi. Gjithashtu konfirmohet se zhurma e pistoletës është dëgjuar edhe nga rojet e postës së policisë Divjakë. Efektivat e kësaj poste kanë nisur kontrollin e pyllit dhe kanë gjetur në afërsi të vendit ku u dëgjuan të shtënat specialistin. Pasi e kanë shoqëruar në mjediset e policisë, ekspertët kanë marrë gëzhojat e armës në vendin e ngjarjes, të cilat përkuan me pistoletën që specialisti mbante me leje për shkak të pozicionit të punës. Sipas burimeve zyrtare të policisë Lushnjë, mësohet se ndaj Agron Mullait ka nisur procedimi penal për heqjen e lejes së armës, por veç problemeve me drejtësinë, incidenti i regjistruar mund të bëjë që ai të humbasë vendin e punës.