Policia arreston shkaktarët e dy aksidenteve të rënda
Dy aksidente të rënda, njëri prej të cilëve me pasojë vdekjen e një personi, kanë ndodhur në harkun kohor të dy ditëve në Qarkun e Fierit. Dje, forcat e policisë së Fierit kanë arrestuar Përparim Hoxhajn, i cili mbrëmjen e së hënës ka aksidentuar rëndë shtetasin Bilbil Nazëraj. Autori, pronar i mjetit tip "Mercedez Benz", me targa FR9317C, ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me 60-vjeçarin Nazëraj, në afërsi të fshatit Dukas, në rrugën Fier-Ballsh. I plagosuri është transportuar menjëherë për në spitalin civil të qytetit të Ballshit, për shkak të plagëve të rënda që ka marrë. Për mjekët, gjendja e Nazërajt është ende kritike për jetën. Ndërkohë që në prangat e policisë ka përfunduar edhe shtetasi Erjon Harshova, 25 vjeç, i cili ka përplasur dy femra, nënë e bijë, teksa drejtonte automjetin e tij të tipit "Opel", me targa FR7120C. Përplasja ka qenë fatale për Violeta K., 58 vjeçe, e cila prej plagëve të rënda të marra në kokë dhe organet e brendshme, ka gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Ndërkohë, e bija 16 vjeçe, pasi ka marrë mjekimet e nevojshme, ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Fierit. Mësohet se 25-vjeçari ishte larguar nga vendngjarja pas aksidentit.