Dekada e Bert Xhanit, një trofe kupe e 7 ndeshje ndërkombëtare
Leonard Karaj
Duhej të ishte Partizani i viteve të arta. Ajo skuadër e cila me hir ose me pahir kishte në organikën e saj lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar. Pritej që projekti “Xhani” të sillte jo vetëm në krye të Superligës një lider të padiskutueshëm por edhe një ekip kompetitiv në Kupat e Evropës. Bilanci; pas dhjetë sezonesh skuadra e kuqe ka koleksionuar një numër të madh futbollistësh, të huaj dhe shqiptarë, një trofe të Kupës së Shqipërisë, 7 përballje në Kupat e Evropës dhe sipas vetë presidentit të “Demave të kuq”, mbi 8 milionë dollarë të shpenzuara. Ky është Partizani që dirigjohet nga Albert Xhani.
Rënia e riNgritja
Ishte sezoni 1999-2000 kur “Demat e kuq” dorëzonin armët teksa nuk arrinin të koleksiononin më shumë se 24 pikë në 26 javë kampionat. Bilanci, shkatërrues; skuadra renditet e fundit me 6 fitore, 6 barazime, 14 humbje me një golavarazh 21-37. Pikërisht në këtë çast del në skenë Albert Xhani. Ai mori drejtimin e klubit duke trashëguar në një farë mënyre jo vetëm rënien nga kategoria por edhe problemet e shumta që ekzistonin në infrastrukturën e klubit. Të parën gjë që presidenti Xhani bëri në drejtim të këtij klubi ishte rikthimi i tij në një Shoqëri Aksionere, e para e këtij lloji në futbollin shqiptar. Po atë sezon Partizani arriti të fitonte titullin e Kategorisë së Dytë, madje duke “vrarë” kampionatin, teksa Erzeni, ekipi i dytë në renditje ishte 10 pikë pas.
Xhani, nën akuzë
Partizani i një sezoni më vonë 2001-2002 në Kategorinë e Parë (Superligë, aktualisht) bënte një hap konkurrues me elitën e futbollit shqiptar teksa zinte vendin e tretë. Falë këtij rezultati Partizani rikthehet në Kupat e Evropës teksa luan me izraelitët e Hapoel Tel Aviv (1-4, 0-1) në Kupën UEFA. Por nëse skuadra mundohej të tregonte më të mirën e vet, Xhani “vihej me shpatulla” pas murit nga drejtësia shqiptare. Kështu që më 29 maj 2004 pas një vendimi të marrë nga gjykata, ai arrestohet. Xhani akuzohej për tjetërsim pasurie. Kjo akuzë lidhej me veprimtarinë e tij tregtare të disa viteve më parë, kur i kishte shitur ish-kompanisë piramidale “Vefa” disa objekte, të cilat i kishte blerë gjatë procesit të privatizimit. Vetëm pas disa seancash gjyqësore ai u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës.
Trofeu e akuzat
Ndërkohë në fushën e lojës skuadra e Xhanit arrin të bëjë të vetin të vetmin trofe të koleksionuar pas viteve 2000 në drejtimin e tij. Partizani mundte Dinamon 1-0 në finalen e Kupës së Shqipërisë më 2004-ën duke prerë sërish biletën për në Kupën UEFA. Ajo skuadër arriti të kalonte edhe një tur në këtë kompeticion teksa eliminonte maltezët e Birkirkara (4-2, 1-2). Ndërsa në turin e dytë “Demat e kuq” eliminoheshin lehtësisht nga izraelitët e Hapoel Sakhnin (1-3, 0-3). Pikërisht pas kësaj ndeshje Albert Xhani shpërthente kundër futbollistëve të tij të cilët i akuzonte se kishin shkelur mbi dinjitetin e klubit duke shitur takimin e luajtur në Izrael. Nga Partizani largoheshin 8 futbollistë të formacionit bazë dhe sezonin në vazhdim 2004-2005 skuadra përfundon kampionatin në vendin e 8-të.
Lojtarët e huaj
Partizani i Xhanit është konsideruar edhe si “shtëpia e brazilianëve”. Vetëm te “demat e kuq” gjatë kësaj kohe që ka “qeverisur” dhe vazhdon Albert Xhani, janë federuar 35 futbollistë të huaj. Nuk kanë munguar ata që vërtet i kanë dhënë kësaj skuadre ashtu sikundër edhe shumë të tjerë, që thjesht shkruan emrin e tyre te kjo skuadër pa luajtur qoftë edhe një minutë. Ndër emrat më pozitivë kanë qenë brazilianët Abilio, Jeraldinho, Mauricio Jose Rodriguez, Luis Pinto Galvao, afrikanët Sasa Delain e Abdulla Isshaka e deri tek ukrainasi Zoltan Cipf dhe serbo-malazezi Jovan Drobnjak.
Akuzat për trukime
Presidenti i Partizanit Albert Xhani ka qenë edhe një zë i fortë në ambientet sportive shqiptare përsa i përket trukimeve të ndeshjeve. Deklarata e dy viteve më parë bëri xhiron në të gjithë mediat shqiptare. “Po, e lashë ndeshjen me Vllazninë, por e bëra për të protestuar ndaj këtij sistemi. Po na vjedhin, madje hapur. Ky është një sistem, me të cilin Tirana po fiton sezon për sezon kampionate të parregullt. Gjithmonë shteti e ndihmon dhe federata nuk ia prish qejfin”. Dhe sigurisht në mungesë të një ligji mbi trukimet asokohe, kjo deklaratë e Xhanit nuk solli asnjë procedim për të.
Partizani 2008-2009
Sezoni nisi me shumë ikje nga skuadra, me shumë premtime nga presidenti Xhani për financat e klubit (madje u ofrua edhe një ortak qipriot për financimin e Partizanit) dhe me rikthimin në organikë të të huajve. Bilanci: futbollistët nuk morën asnjë kokërr leku që prej fillimit të sezonit, shumë u larguan që në merkaton e janarit dhe prej ditës së premte 29 maj 2009 “Demat e kuq”, ashtu sikundër një dekadë më parë, e shohin veten sërish një kategori më poshtë, në të Parën. Epoka Xhani përfundon këtu. Për Partizanin tashmë është pak të thuash se rrezikon shpërbërjen totale, pasi një gjë e tillë po kthehet në fakt. Futbollistët do të kërkojnë një skuadër tjetër, mundësisht në Superligë dhe jo më në Kategorinë e Parë, ku do të luajë për sezonin e ri skuadra e kuqe, por edhe trajneri Shpëtim Duro do të largohet nga kjo skuadër pas 7 muajsh pa marrë asnjë qindarkë për punën e tij. Presidenti Albert Xhani nga ana e tij do t’i duhet të rikthejë memorien 10 vjet më parë, kur e mori këtë skuadër nga Kategoria e Parë.
Duro: Pa rrogë nuk rri më te Partizani
Trajneri i skuadrës Shpëtim Duro pohon se nuk do të qëndrojë më te Partizani pa u paguar. “Ishte tragjike ajo që ndodhi me këtë skuadër. U munduam me shumë mund dhe sakrifica që të bëjmë më të mirën tonë por kundër nesh nuk ishte vetëm fati, por edhe arbitrat. Unë gjatë gjithë kohës jam munduar të qetësoj futbollistët, por ka ardhur një moment që tani as vetë nuk mund të rri më tek Partizani pa pasur një siguri minimale financiare”.
Xhani: Do paguaj, qëndroni te Partizani
Edhe një tjetër thirrje e dëshpëruar nga ana e presidentit Albert Xhani ndaj lojtarëve të Partizanit. Ai ka pohuar se do të japë rrogat brenda 15 ditësh. “Garantoj të gjithë se do paguhen. Është punë për mua se si do ta zgjidh këtë problem por premtoj se do paguaj të gjithë te Partizani. Nëse do të rrini, do t’jua di shumë për nder, pasi ju jeni nderi i kësaj skuadre që drejtoj, pasi unë e kam zemrën këtu dhe derisa të vdes do financoj për Partizanin”.
Futbollistët: Nuk dimë ç’të bëjmë
Një ditë pas humbjes tragjike në play-out me Kastriotin e Krujës te Partizani mbizotëron kaosi. Futbollistët janë në dilemë: “Nuk dimë asgjë, fati ynë është në duart e askujt. Dje na u tha se do të paguheshim nga presidenti Xhani, ndërsa sot nuk kemi ende asnjë konfirmim se një gjë e tillë do të ndodhë”. Prej fillimit të sezonit asnjë lojtar i kësaj skuadre nuk është paguar qoftë edhe me një rrogë të vetme nga presidenti i klubit, Albert Xhani.