E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gafat me humbje votash

Edmond Arizaj 

Edi Rama dhe të besuarit e tij të rinj duhet të përpiqeshin shumë që në prag të fushatës elektorale dhe gjatë saj të mos bënin gabime të mëdha, të cilat mund të përkthehen në humbje besimi dhe votash. Megjithatë brenda dy javëve, tek kryesocialisti dhe të zgjedhurit rishtaz për kandidatë mund të numërohen të paktën disa gafa serioze.
Duke filluar nga ditët e fundit; shihet një dalje e përditshme në konferencë shtypi e Kastriot Islamit, strategut zgjedhor të PS-së në 2005, por edhe një prej ideatorëve të ligjit të ri spanjoll dhe Kodit Elektoral, i cili i sulet herë pas here qeverisë për procesin e kartave. Së bashku me thashethemnajën e përhapur në elektorat, ende të papërgënjeshtruar, por të mbështetur nga PS-ja, se zgjedhjet mund të shtyhen për shkak të kartave, përforcuar kjo edhe nga një amulli e punës së kandidatëve, po shtohet apatia tek zgjedhësit socialistë, po fiket dëshira për “betejë” dhe njëkohësisht besimi në fitore. Fryma e suksesit, aq e dëshiruar nga të gjitha partitë në garë, është gati nën nivelin zero tek socialistët, dhe kjo jo për faj të tyre.
Një tjetër gafë, ose më saktë multigafë politike, ishte ideimi i mitingut hapës të Partisë Socialiste në Qytetin Studenti. Simbolikat e përdorura në këtë tubim rezultojnë, vetëm pak ditë më pas, tërësisht të pagjetura, madje duke larguar vota të sigurta. E para, vendi i përcaktuar për t’u mbledhur shkaktoi shumë pakënaqësi tek të ardhurit nga rrethet, të cilët parapëlqenin një vend më të hapur, më në qendër, më të dukshëm dhe më të shtruar me asfalt. Një vend që të mos u kujtonte Tiranën e 1996, kur Berisha i përzinte me shkopinj gome nga sheshet qendrore. E dyta, pas 19 vjetësh në atë shesh ku nisi rrëzimi i sistemit komunist, Rama nxirrte para të pranishmëve dhe shikuesve nga ekranet, shumë prej të cilëve votues potencialë të PS-së, ish-ministrin e Brendshëm të asaj kohe, paraqitej në aleancë me ish-ministrin e Arsimit që priste në atë kohë studentët grevistë së bashku me Ramiz Alinë. E treta, riparaqitja nga ana e Partisë Socialiste të rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, i ka hequr asaj një numër të konsiderueshëm votash që do të vinin nga komunistët, vota të cilat nuk është aq e sigurt që do të zëvendësohen nga adhuruesit e politikës së re. E fundit, shumica e folësve, vetëm elozhuan Edi Ramën, duke e zeruar simbolikën e këtij mitingu, i cili në fund u mbyll me shumë më pak të pranishëm se në nisje të tij.
Gafa tjetër, që po shkallmon në heshtje koalicionin e PS-së, është ndihma që kërkon të japë Rama për beniaminin e tij drejtues të aleates G-99. Sipas të gjitha gjasave, në disa zona me shumicë të majtë, është dhënë “porosia” që një pjesë e elektoratit të votojë G-99. Ky lloj “Dushku” minor, në fakt dëmton direkt Partinë Socialiste, pasi çdo deputet i dalë për G-99 rrëmbehet nga aleatja e madhe. Kjo “Porosi” ka sjellë një acarim të bazës socialiste, por edhe të kandidatëve të veçantë (ende i pafaktuar, por një lajm aludoi se pikërisht për një përplasje të tillë, Erjon Braçe mungoi në mitingun hapës). Në këto momente, duket jo vetëm për t’u mëshiruar, por edhe gafë e rëndë “thirrja” e Veliajt “vota për Metën, është votë për Berishën”, pasi është dëshira e pajustifikuar e Ramës për të bërë me çdo kusht deputet kreun e G-99, që po ndryshon në shumë raste rrjedhën e votave socialiste drejt LSI, apo më keq drejt abstenimit.
Gafa tjetër ka të bëjë me një nga të përzgjedhurat ekskluzive dhe të papritura të Edi Ramës, kryesuesen e listës së Tiranës, Vasilika Hysi. Duke ndërtuar me imagjinatë atë çka dashur të thotë në të vërtetë kryesocialisti me këtë vendim, rendisim disa arsye: Hysi në krye për të shuar grindjet që mund të vinin nga “më të vjetrit” se kush është i parë, Hysi në krye për t’u treguar “të vjetërve” se sa vlejnë, Hysi në krye për t’i bërë karshillëk të parit të listës së PD-së, Berishës, ose Hysi në krye se kështu do Rama. Por zonja, pa e ndjerë aspak përgjegjësinë, barrën e rëndë që i kanë vënë mbi shpinë, ndjesinë se po përfaqëson socialistët e shumtë të kryeqytetit, deklaron pa as më të voglin hezitim në daljen e parë publike si politikane: “Isha mirë atje ku isha… kam vetëm një javë që jam shkëputur nga shoqëria civile”. Me pak fjalë, drejtuesja e listës së 32 kandidatëve të Tiranës, ajo që qëndron edhe mbi startegët elektoralë Islami e Xhafaj, apo mbi socialistin e vjetër Dokle, as nuk e njeh fare brendinë e Partisë Socialiste dhe se anëtarët e simpatizantët e PS-së, duhet ta shohin si nder pranimin e ftesës nga ana e saj… Natyrshëm pas kësaj ka zbritje votash. Përveç kësaj, Rama ka rrezikuar shumë me ngritjen kaq lart të kësaj kandidature të panjohur dhe me largimin e figurave të tilla si Ermelinda Meksi, apo Musa Ulqini, sepse ai mund të humbasë vota të shumta në dy ndër zonat më të majta të Tiranës. Vota të cilat nuk mund të zëvendësohen nga aksesi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit jashtë Shqipërisë, por krejt i parëndësishëm dhe i pandikim në vend.
Gafa e radhës është një tjetër e përzgjedhur e Ramës, Rudina Seseri, kryesuese e listës në një nga qytetet më të rëndësishëm të Shqipërisë, Durrësit, ku aktualisht PS-ja nuk përfaqësohet hiç në Kuvend. Gafa nisi me “reklamën” e lënies së “Wall Strit”-it nga ana e saj dhe të një super-pagese, pas ftesës që mori nga Shqipëria. Gafa vazhdoi me të afërmit e zonjës, të cilët kanë votuar pa mëdyshje për PD-në çdo herë (sipas shtypit). Dhe qershinë mbi tortë e vuri vetë zonja Seseri, e cila në mënyrë absolutiste u shpreh se kishte ardhur nga SHBA së bashku me diplomat dhe ekipin e saj për të qeverisur Shqipërinë dhe se problemet e vendit i kishte njohur pasi vizitoi dy fshatra në Krujë! “Ndihmë” dha edhe replika e Sokol Olldashit kundrejt saj, sipas të cilit, Seseri duke i kërkuar sistemim për të motrën e larguar nga Bashkia e Tiranës, ishte shprehur për kryebashkiakun se “nuk punohet me atë kafshë”. Ende e papërgënjeshtruar nga Seseri.
Dy zonjat e lartpërmendura mund edhe të justifikohen deri në një farë mase, por kjo nuk mund të bëhet për vetë kryetarin e PS-së, i cili pa asnjë përgatitje i hedh në fushën e betejës përballë oficerëve të stërvitur vite me radhë. Edhe këto humbje televizive, që kanë gjasa të vazhdojnë edhe gjatë fushatës, përkthehen në humbje votash. Përfundimisht, gafat e shumta për ditë e muaj me radhë, tjetërsimi i menjëhershëm i partisë tradicionale në parti elektorale, gjetjet në përgjithësi të dështuara dhe lehtësisht të anatemueshme, dështimi i politikës së re përballë politikanëve të vjetër, sidomos në përcaktimin e kandidaturave, apatia e përgjithshme dhe paaftësia për të krijuar frymën e duhur të fitores, përveçse po humbasin çdo ditë e më shumë vota për PS-në, rrezikojnë seriozisht ta kthejnë atë në një parti politikisht inekzistente dhe relativisht të konsiderueshme në numra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›