Baritoni turk: Roli, një kostum që ndërrojmë
Dikur, fëmijë ëndërronte të bëhej basketbollist dhe as që e mendonte se një ditë do të vishej me kostume qesharake, do të vinte paruke e një bark gjigand. Cengiz Sayin erdhi në Tiranë, nga Turqia, për të interpretuar rolin e Falstafit, në operën me të njëjtin titull. Është vepra e fundit e Verdit dhe ai e ka shumë për zemër. Aq më tepër që është edhe një oper komike. Prej 15 vjetësh, shtëpia e baritonit është bërë skena. Ka marrë shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare. Për 5 vite me radhë ka qenë Drejtor Artistik i Teatrit Shtetëror të Izmirit.
Është dita juaj e fundit në Tiranë, si do ta përkufizonit këtë eksperiencë?
Qëndrimi në Tiranë ka qenë më së shumti çlodhës për mua. Sapo erdha fillova provat në teatër, por duke qenë se e njihja shumë mirë pjesën e “Falstafit”, të cilën e kam luajtur edhe në Turqi, nuk mu desh shumë mund dhe kohën që kam kaluar në Tiranë, më shumë jam qetësuar. Gjatë provave pata mundësinë të njihja këngëtarët shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve janë shumë të zotë.
Sa e njihnit Shqipërinë, përpara se të vinit këtu?
Shqipëria nuk ka qenë kurrë një vend i panjohur për ne. E ndiejmë shumë afër, është një vend si ne. Gjithnjë kemi qenë miq, kemi njohur shqiptarë dhe shumë syresh jetojnë në Turqi. Madje në shtëpinë time ka edhe shqiptarë. Kemi familje miks (burri i tezes sime është shqiptar). Kur erdha këtu e ndjeva edhe më tepër këtë afërsi. Ushqimi është po ai…
Erdhët në Tiranë për të interpretuar rolin e Falstafit, ç’përfaqëson kjo opera në karrierën tuaj?
Është një opera e veçantë. Për një bariton, roli i Falstafit është një rast që nuk duhet humbur. Kështu që kudo ku shkoj ndihem shumë mirë me këtë rol.
Falstaf është një personazh interesant, e gjeni atë në jetën e përditshme?
Brenda të gjithëve ka diçka nga Falstaf. Është një personazh nga jeta, do të thosha. Duhet të vëzhgosh me kujdes veprimet dhe emocionet e tij në jetën e përditshme, në mënyrë që të mund t’ia transmetosh ato sa më mirë publikut.
Është më e thjeshtë ta bësh spektatorin të qeshë, apo të qajë?
Për ne, të dyja rastet janë të thjeshta, sepse për një këngëtar është shumë e rëndësishme ajo që i thotë kompozitori e regjisori. Kur kompozitori krijon një pjesë, kujdeset të na thotë se çfarë kërkon prej artistëve dhe këngëtarëve u mbetet vetëm të interpretojnë mirë dhe të bëjnë të mundur që emocionet të përcillen mirë te publiku.
Por këto role kërkojnë edhe shumë interpretim aktorial, apo jo?
Duhet të jesh gjithnjë një aktor i madh për të gjitha rolet, sidomos në rolet që interpreton një bariton, të cilat janë më së shumti karakteri. Ekspresiviteti është shumë i rëndësishëm. Çdo rol duhet menduar si një kostum, që kompozitori e regjisori të thonë ta veshësh. Ju vini nga Turqia, ku eksperienca operistike nuk është edhe aq e gjatë, sa preferohet nga publiku?
Ne kemi një histori republike më shumë se 80- vjeçare dhe sigurisht nuk mund të krahasohemi me historinë 600-vjeçare të Evropës, por në këta pak vjet, falë liderit tonë Ataturk, është bërë shumë në fushën e operës, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore. Këngëtarë e kompozitorë shumë të mirë kanë ardhur në Turqi dhe kanë punuar në konservatorët dhe skenat turke, duke dhënë një eksperiencë të madhe. Mbi bazën e vënë nga ata ka nisur të ngrihet figura e artit në Turqi. Sot kemi 6 teatro operash dhe nuk kemi asnjëherë probleme me publikun, pasi skenat janë gjithnjë plotë. Janë teatro repertori, kryesisht vepra italiane.