E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të shitesh pjesë-pjesë

Andis Harasani 

Kjo është një histori që mund të shkruhet në formën e dramës, por njësoj do të tingëllonte nëse shkruhej në formën e komedisë. Dramë, nëse kihet parasysh ndikimi në një jetë vetjake, komedi nëse kihet parasysh ...se personazhet e saj janë tipa tipikë të shoqërisë sonë politike; të shoqërisë pranë pushtetit, rrotull pushtetit apo dhe aspirantë për pushtet.
Skena e parë mund të niste në këtë mënyrë: drejtori i përgjithshëm i KESH-it, për muaj e muaj me radhë si një korrespondent shëtitës mori me radhë që nga faqet e gazetave dhe suplementeve rozë të tyre e deri tek ekranet e televizorëve në debate politikë e apolitikë. Synonte të tërhiqte vëmendjen e Doktorit që i besoi menaxhimin e krizës së paprerë energjetike tre vjet më parë, që t’i besonte menaxhimin e degës më të rëndësishme lokale të PD-së, atë të Tiranës. Teknologjia për të tërhequr vëmendjen e Doktorit është e thjeshtë dhe e pandryshueshme: shaj Edi Ramën, mallko lejet e ndërtimit, modelin e Bashkisë së Tiranës, drejtimin e Partisë Socialiste, mos pengo, por firmos kontratat shumëmilionëshe në euro të Fazlliçit dhe mbro emrin, dinjitetin dhe moralin e familjes kryeministrore duke shitur pjesë–pjesë emrin, dinjitetin dhe moralit vetjak në publik. Pastaj nëse Doktori e vlerëson siç duhet këtë performancë – ia vlen të përdoret ndonjë fjalë e huaj në një artikull shqiptar se fundja kështu është dhe moda – pjesa tjetër është e lehtë. Në fillim drejtori i KESH-it do të bëhej kryetar i PD-së së Tiranës, pastaj një vend i sigurt në listën e kandidatëve për Tiranën dhe më pas, kur fiqtë dhe qershitë të piqeshin në klimën tonë të nxehtë politike, të synonte të bëhej pasardhësi i Edi Ramës në bashki. Nuk dihet se çfarë ndodhi dhe çfarë nuk funksionoi në këtë plan të qëndisur afatgjatë, por fakt është se pavarësisht të gjithave, drejtori i KESH-it nuk u bë kryetar i PD-së së Tiranës, u vu në zonën e akullt të listave për kandidat po në qarkun e Tiranës dhe, si rrjedhojë, duket se i ka dhënë fund dhe aspiratës për të zëvendësuar me blunë e tij, rozën e Ramës në Tiranë. Dhe e ka kaq të qartë sa ende nuk ka dhënë dorëheqjen nga drejtorllëku, megjithëse kandidon në listë.
Skena e dytë është më e thjeshtë: një nga drejtorët e OSSH-së parkon makinën e tij zyrtare në vendin ku normalisht parkohej makina e drejtorit të KESH-it, përballë godinës së institucionit. Drejtori i KESH-it lajmëron policinë bashkiake dhe djemtë me uniformë blu dhe makina me stemë, nuk vonojnë. Vendosin sipas ligjit bllokuesin ngjyrë të kuqe në rrotën zyrtare të makinës së drejtorit. Në xhamin e përparmë të saj vendosin një letër ngjyrë rozë me gjobën 3 mijë lekëshe, nën arsyetimin: parkim i gabuar.
Skena e tretë nis e ndërlikohet disi: po ky drejtori i OSSH-së natyrisht mërzitet shumë me çfarë i ka ndodhur, por jo me vlerën e gjobës. Tre mijë lekë të nxjerra në mënyrë private nga xhepi, në rastin më të keq, përballë 102 milionë eurove që do të paguajnë zyrtarisht çekët që blenë vendin e tij të punës, janë më pak se thërrimja e një thërrime. Nuk ia vlen as të zihen në gojë. Problemi është shumë më parimor. Kështu që ai, sa hyn në zyrë, kujtohet se KESH-i nuk ka një kontratë për energjinë që përdor e konsumon po vetë. Pra, është një debitor ndaj OSSH-së. Zgjidhja është e thjeshtë: KESH-it i pritet energjia elektrike.
Skena e katërt nis e merr tone serioze: drejtori i KESH-it nxehet me karshillëkun e ish-vartësit të tij. Bisedon me Entin Rregullator të Energjisë, lidh me shpejtësi rrufe kontratën për energjinë që konsumojnë zyrat e tij dhe e paguan atë qindarkë më qindarkë.
Skena e pestë nuk ka ndodhur akoma. Drejtori i KESH-it është kandidat për deputet në Tiranë. Por në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë ai ka me mijëra punonjës që paguhen me çekun e tërhequr nga banka dhe të firmosur prej tij. Drejtori i KESH-it është ende në detyrë. Si dhe të tjerë që kandidojnë, por nuk janë dorëhequr ende. Si paraardhës i tij, në vitin 2005, edhe pse nuk e kisha detyrimin ligjor, u dorëhoqa menjëherë. Sepse atje ku ligji hesht, flet morali. Në këtë rast, me dhembje më duhet të them se me pasardhësin tim na ndan morali. Jo vetëm vetjak. Edhe politik. Ai është një nga ata që duhet mundur në 28 qershor. Jo vetëm si individ, sepse ai është i mundur që nga të tijtë kohë më parë. Ai duhet të mundet si modeli i një menaxheri të pronës publike që tenton të hyjë në politikë, duke hyrë në zemrën e shefit të madh me të gjitha mënyrat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›