E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: Votat numërohen nga dy veta

 

BLEDAR HOTI

Frika e bojkotit të zgjedhjeve nga opozita, detyron shumicën demokrate në KQZ të caktojë që procesi i numërimit të votave të vazhdojë edhe me dy numërues. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve debatoi ashpër në lidhje me udhëzimin e paraqitur për diskutim, për mënyrën e marrjes në dorëzim të materialeve, të kutive të votimit nga ana e Grupeve të Numërimit të Votave. Neni 2 i këtij udhëzimi parashikonte që në rast të numëruesit të parë dhe sekretarit, votimi mund të vazhdojë me dy numëruesit e tjerë. GNV-ja përbehet nga 4 numëruesit, i pari dhe i dyti (sekretari) do të përfaqësohen nga PS dhe PD, ndërsa dy të tjerët nga partitë që do t’i përzgjedhë shorti. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Eridian Saliani në lidhje me këtë propozim theksoi se nuk mund të realizohet një gjë e tillë, pasi anëtarët e tretë dhe të katërt nuk mund të marrin përsipër kompetencat e parashikuara në ligj për numëruesin e parë dhe sekretarin. “Kjo gjë është në kundërshtim me ligjin dhe se nuk mund ta realizojmë një gjë të tilë”, tha Saliani. Ndërsa përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti deklaroi se “nuk mund të bllokohet procesi i votimit, nëse një force politike kërkon që të bojkotojë atë”. Kreu i KQZ-së, Ristani e mbështeti idenë që procesi i numërimit të votave të vazhdojë me dy anëtarë. Neni 2 i këtij udhëzimi, pavarësisht kontestimeve, u votua me katër vota pro të anëtarëve Ristani, Zguri, Shtjefni dhe Osmanaj. Ndërsa tre anëtarët e opozitës në KQZ, Varfi, Subashi dhe Lazaj votuan kundër. Një tjetër pikë e nxehtë e debatit ishte dhe mënyra e marrjes së materialeve në dorëzim të kutive të votimit. Në udhëzim parashikohej që pavarësisht faktit se materialet zgjedhore nuk janë kuti, GNV-ja mund ta marrë në dorëzim atë. Kjo u kontestua ashpër nga anëtarët e opozitës në KQZ, duke e cilësuar si antiligjore dhe që do të sillte pasoja në deformimin e procesit të 28 qershorit. “Është një precedent i rrezikshëm nëse do të pranohet një gjë e tillë, është në kundërshtim me nenin 116, pika 3”, tha nënkryetarja Subashi. Ndërsa përfaqësuesi i PS-së, Genci Gjonçaj se “me këtë KQZ-ja është jashtë ligjit dhe nuk është kompetencë e saj të marrë një vendim të tillë, duke legjitimuar parregullsitë e procesit”. Ndërsa Kosovrasti deklaroi se “marrja e kutisë në dorëzim nuk do të thotë se pranohet si e rregullt, pasi do të jetë KZAZ-ja që do të vendosë”. Por përplasjet për këtë çështje bënë që udhëzimi në tërësi të mos miratohet, për të gjetur një zgjidhje të pranueshme në mbledhjen e së hënës”.

Fleta e Votimit
    Dimensionet e fletës: gjerësia 300mm, gjatësia 430 mm     Lloji i letrës ëatermark 90gr/m2     100% pulp, me fibra karboni ultraviolet, 2 shtresa e ratifikuar në përfundimtare, me certifikatë origjine     Fleta do të ketë element mikroprintime me skice speciale, jo e personalizuar     Fleta do të ketë elementë unik të mikroprintimi     Fleta do të ketë 3 elementë sigurie, kode sigurie     Kodet do të njihen nga një noter në Shqipëri dhe do të futen në një zarf sigurie

Fleta e Votimit, PS tërhiqet nga kërkesa për elementët e sigurisë
Partia Socialiste tërhiqet nga kërkesa për të realizuar fletë të posaçme votimi me të dhëna të personalizuara, për shkak të pamundësisë kohore që ka firma sllovene “Cetis”. Diskutimi për prodhimin e fletës së votimi, për të dhënat specifike nisi me një debat mes anëtarëve, pasi kërkohej që të zbatohej “ultimatumi” i PS-së, për të realizuar një prodhim të posaçëm të fletës së votimit, “ëatermarker i personalizuar”, ku të lihej një logo e caktuar e padukshme. “Ne kemi përgjegjësi që të krijojmë mundësi që të bëjmë sa më të besueshme fletën e votimit, në mënyrë që të bëjmë më të besueshme procesin”, deklaroi nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi. Ndërsa kryetari i KQZ-së, Arben Ristani hodhi propozimin që të negociohej me anë të emailit me përfaqësuesit e firmës sllovene për kërkesat e PS-së, pasi gjatë kontakteve që ai ka pasur nuk është e realizueshme një gjë e tillë. Firma sllovene në përgjigjen e saj të fundit me anë të emailit u shpreh se i gjithë ky proces do të zgjasë 7 javë. Letra që kemi ofruar është porositur nga vetë Cetis dhe nuk është marrë nga një gjendje stok dhe prodhuesi Radeçe Paper garanton se për 3 muaj nuk do të prodhojë këtë letër për tregun shqiptar”. Kaq ka mjaftuar për të bindur PS-në dhe 6 anëtarët të votojnë pro ndryshimeve në fletën e votimit, duke shtuar edhe disa elementë sigurie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›